Dinamo Zagrebi konfirmon pensionimin e numrit 5 për nder të Arijan Ademi

Fanella me numrin 5 e mbajtur për kohë të gjatë nga mesfushori shqiptar, Arijan Ademi, te skuadra e Dinamo Zagrebit, do të pensionohet.
Kështu ka konfirmuar skuadra kroate nëpërmjet një komunikate për media.

Marketing

“Arijan Ademi, simbol, model, kapiten dhe lider, u largua nga GNK Dinamo pas afro 13 vjetësh të kaluar me skuadrën. Në ditët e kaluara, qindra mesazhe përshëndetëse kanë ardhur në drejtim të kapitenit. Ata kanë falënderuar Ademin për çdo gjë që ka dhënë për fanellën e ‘kaltër”, thuhet në njoftimin e klubit.

“Arijan Ademi është lojtari më i madh në historinë e Dinamos. Askush nuk ka fituar kaq shumë trofe, ashtu siç askush nuk ka pasur një ndikim të tillë në ekip në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Një njeri i madh me zemër të hapur dhe një mik i vërtetë. Fat të mirë në destinacionin tënd të ri, kapiteni ynë!”, shkroi klubi më tej.

Me Dinamon e Zagrebit Ademi ka 359 paraqitje, 41 gola të shënuar e 30 asistime.

Ka fituar 11 tituj kampioni me gjigantin kroat, ndërsa katër herë është fitues i Kupës së Kroacisë.