Dislokimi i bastoreve, Besimi premton Projekt/Ligj të ri

Problemi me dislokimin e bastoreve mbetet akoma i pazgjidhur. Ndonëse janë dhënë shumë premtime, pikat e lojërave të fatit ende ndodhen në afërsi të shkollave apo objekteve fetare. Së fundmi, një premtim të ri e ka bërë ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili është zotuar se do të iniciojë një ligj për zgjidhjen e këtij problemi, por pa dhënë më tepër detaje kur do të arrijë kjo nismë në Kuvend.

Marketing

“Dhe synimi do të jetë që pozicioni i tyre apo lokacioni i tyre të jenë më larg objekteve shkollore çerdheve dhe objekteve fetare. Kjo do të jetë në një proces të hapur dhe transparent në periudhën që vijon një ligj i ri i cili do të harmonizohet dhe të gjitha palët të jenë të involvuara në proces dhe të kemi zgjidhje më të mirë të mundshme”, deklaroi Fatmir Besimi – Ministër i Financave.

Nga Lëvizja Anti Bixhoz mirëpresin nismat të gjitha nismat për zgjidhen e këtij problemi, por janë skeptikë për realizimin e tyre.

“Ne nga Lëvizja Anti Bixhoz e përshëndesim deklaratën e Ministrit te Financave për sjelljen e ligjit për lojërat e fatit. Nga ana tjetër me te drejte e përkujtojmë ministrinë në fjalë se me 22 shkurt ishte iniciativa e njëjtë dhe ky ligj duhej te kaloje ne Komisionin për Financim dhe Buxhet, ishte koha shume e freskët pas vrasjes se dy te rinjve gjate plaçkitjes ne një kazino ne Vizbeg. Me konkretisht në atë kohë deputetet e LSDM -së dhe VMRO DPMNE -së qëndronin nëpër korridoret e Kuvendit për të mos bërë kuorum ne këtë komision; më saktë ishin kundër sjelljes së këtij ligji, çka ndodhi në të vërtetë”, thonë nga Lëvizja Anti-Bixhoz.

Televizioni 21 kontaktoi me disa prej partive politike.

Nga Alternativa, thanë që janë të gatshëm që të votojnë një ligj të tillë. Gatishmëri për mbështetjen për zgjidhjen e këtij problemi shfaqën edhe nga Lëvizja Besa.

Ndërsa nga Lidhja Social Demokrate nuk komentuan paralajmërimin e Fatmir Besimit, pasi thanë që një propozim i tillë akoma nuk ka arritur në Kuvend.

Me gjithë premtimin e bërë, Fatmir Besimi, nuk ka saktësuar kur do të dorëzohet në Kuvend projekt/ligji.