Drejtori Sela viziton Qendrën Hulumtuese EURAC në Itali

“Pas vizitës së punës në Austri, delegacioni i udhëhequr nga Ylber Sela, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, i shoqëruar nga Tahir Hani, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e vizitoi Qendrën Hulumtuese EURAC në Bolzano, që është pjesë e provincës autonome të Tirolit Jugor, e cila paraqet një nga qendrat hulumtuese më eminente në Evropë.

Marketing

Në kuadër të vizitës së EURAC-ut, drejtori Sela realizoi takim pune me Andrea Abel – drejtoreshë e Institutit të Gjuhësisë së Zbatueshme, Klara Kranebiter – hulumtuese në Institutin e Gjuhësisë së Zbatueshme, Karolin Zviling – hulumtuese e lartë dhe koordinatore në Institutin e Federalizmit Krahasues, Mark Rogla – hulumtues në Institutin për të Drejtat e Pakicave, dhe Sabrina Kolombo – hulumtuese në Institutin e Gjuhësisë së Zbatueshme.

Takimi i punës ishte një mundësi e shkëlqyeshme për prezentimin e punës së AZGJ-së në kontekst të zbatimit të kompetencave që burojnë nga Ligji i Përdorimit të Gjuhëve dhe projekteve në drejtim të promovimit, mbrojtjes dhe avancimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe prezentim të aktiviteteve të projekteve të EURAC-ut në lidhje me projektet aktuale në Evropën Juglindore.

Të dyja palët shprehën interes për intensifikimin e dialogut reciprok dhe konkretizimin e bashkëpunimit përmes modalitetesh të ndryshme që përfshijnë shkëmbim të përvojave të ekspertëve në fushën e zbatimit të projekteve gjuhësore, përpilim të fjalorëve digjitalë terminologjikë, vizita studimore në nivel institucional dhe bashkëpunim të mundshëm për projekte shkencoro-hulumtuese.” – zyra për informim, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës.