Driton Kuka nuk i mbanë lotët, fjalë emocionuese për Majlinda Kelmendin

Xhudistja Majlinda Kelmendi është dekoruar sot me urdhrin “Shotë Galica”.

Marketing

Për nder të xhudistes më të suksesshme kosovare, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar një ceremoni shtetërore.

Trajneri ikonë në Kosovë, Driton Toni Kuka, nuk e ka përballuar lehtë pensionimin e Majlinda Kelmendit.

Toni Kuka ka thënë disa fjalë për xhudistën më të mirë në histori të Kosovës, por këto fjalë u shoqëruan edhe me lotë.

Më poshtë fjalët e Kukës për Kelmendin.

“Ngarkesa që Majlinda do ta linte xhudon më ka bërë jashtëzakonisht të ngarkuar shumë mëshumë sesa vet ngarkesa e garës. Diçka që po e them këtu për herë të parë, s’e kam diskutuar as me nxënësit e mi, por kjo ka ndodhur. Garues kulminant në sytë e trajnerit shohin reflektimin si për mirë ashtu edhe për keq. Këtë e kam mbajt në vete për mos me reflektu te ekipi, te garuesit, e sidomos te Majlinda. E ngushëlloja vetën duke thënë se ndoshta do ta vazhdonte karrierën. Ajo do ta vazhdonte karrierën, por karriera e saj pati lëndime të mëdha, të cilat kjo i përjetoi fizikisht e unë psiqikisht. Por, prapë se prapë në tatami (dyshekët e arenës), ka arritur të gjitha çka mund të arrihen. Tri herë është shpallur xhudistja më e mirë e rruzullit tokësor”, ka thënë Kuka, përcjell lajmi.net.

“Përtej kësaj, Majlinda u shndërrua në një diçka tjetër. Simbol të lirisë së fituar me shumë sakrifica e gjak, një personazh që saherë e takonin njerëzit, fjalia më e shpeshtë ishte se Majlinda po iu jep shpresë njerëzve që të jetojnë në Kosovë. Pas medaljes së artë olimpike unë kam menduar se personalisht si trajner mu ka përmbush caku jetësor. Ne vazhduam tutje dhe tash kemi edhe dy medalje të arta. Do të vazhdojmë edhe më shumë. Për Majlindën mund të flas me vite, por nuk do e zgjas shumë. Dua t’i falënderohem dhe të jam mirënjohës. Më krenove mua, familjen, xhudon dhe një komb. Si trajner t’i kam vendosur standardet e larta, por me sinqeritetin më të madh të uroj që edhe në pozitën e trajnerit të bëhesh më e suksesshme së unë”, shtoi trajneri, duke shpërthyer në lot.

“Mendova se do të përmbahem më mirë, por emocioni më i fuqishëm. Një fjali për fund. Kënaqësi kur Majlinda ka pushtu Brazilin, Rusinë e vende që nuk e njohin Kosovën, por kanë qëndruar gatitu dhe kanë respektu simbolet e shtetit tonë, edhe pas Majlindës edhe Distria e Nora, kanë vazhduar këtë trend dhe do të vazhdojnë tutje. Këto janë gjenerata që tregojnë sa e merituam ne lirinë. Zoti të bekoftë Majlinda, ty dhe familjen tënde. Faleminderit, të jam mirënjohës deri në fundin e jetës sime.