Dua Lipa ka qenë së fundmi e ftuar në ceremoninë e çmimeve “Booker”. Ylli i muzikës theksoi se leximi e ka ndihmuar atë që të kalonte kohët e vështira në turne dhe të lidhej me trashëgiminë e saj. Ajo shtoi se shkrimi i mirë “ka fuqinë t’i bëjë njerëzit të ndihen mirë”.
“Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës për të folur për një nga gëzimet më të thella në botë: kënaqësinë e thjeshtë të leximit të një libri,” tha ajo. Gjatë fjalimit të saj, ajo përmendi dhe vlerësoi Ismail Kadarenë, duke përmendur edhe librin e tij “Kështjella”.
“Kur kam qenë 11 vjeçe, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë. Leximi i librave si “Kështjella” i Ismail Kadaresë testoi aftësitë e mia gjuhësore dhe më ndihmoi të lidhesha me prejardhjen e familjes dhe identitetin si shqiptare e Kosovës. Përmes Kadaresë, mësova për shpirtin rezistues të shqiptarëve që e mban akoma Kosovën duke luftuar për njohjen e pavarësisë së saj”, tha ajo.