Dudaev i siguron Shqipërisë medaljen e argjendtë, nesër finalja për të artën në mundje

Shqipëria vijon të regjistrojë rezultate të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare me sportin e mundjes, teksa suksesi më i fundit ka ardhur nga Kampionati Europian që po mbahet në Bukuresht.

Marketing

Islam Dudaev ka bërë sot paraqitje të jashtëzakonshme, duke koleksionuar katër fitore të njëpasnjëshme, për t’u kualifikuar në finalen e peshave 65 kg në stilin e lirë.

Mundësi rus, i natyralizuar me pasaportë shqiptare, u tregua fantastik në të gjitha duelet e tij. Dudaev e nisi konkurrimin me fitoren 6-3 ndaj turkut Abdullah Toprak në kualifikuese. Më tej ai triumfoi me rezultatin 8-1 ndaj rumunit Stefan Ionut Coman, duke kaluar në çerekfinale, aty ku gjeti përballë francezin Khamzat Arsam Erzouev, të cilin e mposhti 4-0, duke hipotekuar kalimin për në gjysmëfinale. Dudaev e vijoi serinë e ndeshjeve të shkëlqyere edhe në katërshe, teksa kaloi me sukses me rezultatin 3-1 azerin Ali Rahimzada, duke prerë biletën që të çon në finalen e madhe, aty ku nesër rreth orës 17:30 do të matë forcat me rusin Gadzhimurad Rashidov.

Dudaev tashmë e ka të sigurt medaljen e argjendit, por kampioni kuqezi do të japë gjithçka për të bërë të tijën të artën. Kujtojmë që edhe dy vite më parë në Europianin e zhvilluar në Budapest, Islam Dudaev i ka dhuruar Shqipërisë medalje bronzi, ndërsa strategjia e FSHM-së për të afruar sportistët rusë në Kombëtare ka dhënë rezultate të menjëhershme dhe historike, siç ishte edhe titulli kampion bote i fituar nga Zelimkhan Abakarov.

Marketing