DV: Merkel i bën presion Makronit për datë për Maqedoninë e Veriut

Në prag të samitit të sotëm joformal në Berlin, nikoqirë të të cilit janë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Makron, mediumet gjermane e analizojnë gjendjen në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e komentojnë gatishmërinë e tyre për afrim drejt BE-së, transmeton “Dojçe Vele”.

Marketing

Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor i cili meriton të shpërblehet me datë për fillim të negociatave me BE-në, shkruan “Frankfurter algemajne cajtung”, ndërsa “Velt” pohon se Merkel planifikon t’i bëjë presion Makronit për negociatat me BE-në.

“Vendet nga rajoni edhe më tutje meritojnë mbështetje, por afrimi i mëtutjeshëm drejt BE-së për momentin do të ishte sinjal i gabuar. Me një përjashtim: Maqedonia e Veriut ka një Qeveri të orientuar reformuese, e cila bëri kompromise të guximshme për ëndrrën Evropë, duke e ndryshuar emrin e vet për ta tejkaluar kontestin e vjetër me anëtaren e BE-së, Greqinë. Fillimi i negociatave inkuadruese do të jetë njohje adekuate për guximin e madh. Ku do të përfundojnë ato negociata në fund, do të tregojë koha. Gjithsesi do të zgjasin me vite. Por pjesa tjetër e rajonit jep një fotografi të turbullt. Kjo posaçërisht vlen për Serbinë”, shkruan “Frankfurter Algemajne cajtung”.

Në edicionin javor gazeta “Velt” shkruan se kancelarja Merkel dëshiron me çdo kusht ta bindë Makronin që Maqedonisë së Veriut në qershor t’i japë gjasa për t’i filluar negociatat me BE-në.
Gazeta thekson se kyçe do të jenë dy biseda, të cilat do të ndodhin të hënën para raundit të madh: Së pari Merkel do të bisedojë në katër sy me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Më pas me Makronin.

“Merkel dëshiron ta shpërblejë Maqedoninë e Veriut për angazhimin e saj në kontestin për emrin me fillim të shpejtë të negociatave me BE-në. Makron, i cili më shumë është i interesuar për thellim se sa për zgjerim të BE-së, nuk e dëshiron atë. Por, kompromisi është i mundshëm: Merkel premton se do të angazhohet fuqishëm tek Makroni për fillim të shpejtë të negociatave, ndërsa Maqednia e Veriut me durim do të presë deri pas zgjedhjeve për Parlamentin evropian, në mënyrë që Makroni të dalë faqebardhë. Rreth kësaj sot nuk do të publikohet asgjë”, shkruan “Velt”.

Samitin e analizon edhe “Zidojçe cajtung” dhe atë nga aspekti i ideve për këmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Berlin temë kryesore nuk janë mossukseset e vendeve aspirante, por një gabim shumë i rrezikshëm i BE-së. Evropianët, dhe në radhë të parë komisarja për politikë të jashtme, Federika Mogerini, jo vetëm që lejuan, por edhe nxitën, në debatin për zgjidhje të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës tema e ndryshimit të kufijve të gjendet në rend të ditës”, shkruan “Zidojçe Cajtung”.

Sipas gazetës, merita është e Angela Merkelit, e cila ishte pothuajse e vetmja e cila që prej fillimit, u deklarua qartë kundër ndryshimit të kufijve, sepse ai që vë në pikëpyetje kufijtë, sërish e ndezë fitilin në fuçinë ballkanike të barutit.

“me atë rrezikohet, e madje edhe provokohet, shpërthimi i konflitkeve të reja në BeH-në multietnike deri në Maqedoninë e Veriut me pakicën e saj të madhe shqiptare”, thekson gazeta.

Prandaj, shkruan “Zidojçe Cajtung”, është mirë dhe ishte koha e fundit, ajo që Merkel e organizoi këtë samit, në mënyrë që përfundimisht të groposen ato ide të vjetra.

“Njëkohësisht nga ky takim së bashku me Makronin mund t’i dërgohet porosi e përbashkët presidentit të SHBA-së, Donald Tramp se evropianët nuk do të lejojnë marrëveshje të këqija, ndërsa pajtimin në Ballkan e shohin si detyrë të veten. Por, gjithsesi nuk do të jetë e mjaftueshme, një gabim kapital në procesin negociues vetëm të korrigjohet. Gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor duhet t’u jepet perspektivë e qartë për anëtarësim në BE. Organizimi i samiteve ngushëlluese njëherë në vit si koncept për Ballkanin është tejet pak”, konkludon “Zidojçe cajtung”.

Marketing