Pas dy ankandeve të pasuksesshme për shitjen e godinës së Eurostandard Bankës, ankandi i tretë elektronik është caktuar për më 15 mars. Nga mjetet që do të merren duhet të dëmshpërblehen depozituesit e bankës, përkatësisht ata qytetarë që kanë pasur depozita kursimi në vlerë më të lart se 30 000 euro, si dhe disa kompani. Ata me kursime më të vogla u kompensuan nga shteti. Ankandet e pasuksesshme të deritanishme, sipas ekspertëve të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, çojnë në përfundimin se ndoshta vlera e këtij objekti është e mbivlerësuar dhe se dikush po ngadalëson qëllimisht procesin e dëmshpërblimit të depozituesve.
Sipas një kompanie auditimi të pavarur me renome që ka bërë vlerësimin e kësaj ndërtese (sipas metodologjive zyrtare të vlerësimit të pasurive të paluajtshme), vlera reale nuk korrespondon me atë që kërkohet jozyrtarisht prej 8.4 milionë euro.
Objekti ka një sipërfaqe totale prej 3489 metra katrorë, e cila përfshinë 1512 m2 sipërfaqe nëntokë të destinuar për kasafortë, arkiv, hapësira ndihmëse dhe 20 vende parkimi. Hapësira për zyrë është vetëm 1977 m2. Auditorët dhe vlerësuesit e autorizuar vlerësojnë objektin në 5.3 milionë euro.
Objekti nuk shitet pjesërisht, por tërësisht dhe realisht bëhet fjalë për një shumë të madhe mjetesh për kushtet e Maqedonisë që duhet të ndahen për këtë godinë afariste.
Godina afariste e Eurostandard Bankës ndodhet në zonën qendrore të qytetit të Shkupit, nga jashtë duket godinë tërheqëse dhe sigurisht është turp të mos përdoret nga dikush. Aq më tepër që me kalimin e kohës, nëse nuk mirëmbahet, do të zhvlerësohet dhe “mund t’i kalojë koha”!
Depozituesit e kursimeve duhet t’i marrin mjetet e tyre, kurse vlera e pronës realisht të vlerësohet, kjo është diçka për të cilën duhet të përpiqeni.