Ballina Lajme Botë “E kanë vrarë”, gjendet i vdekur në Palermo bashkëshorti i eurodeputetes italiane

“E kanë vrarë”, gjendet i vdekur në Palermo bashkëshorti i eurodeputetes italiane

Angelo Onorato, një arkitekt dhe bashkëshorti i eurodeputetes demokristiane Francesca Donato, u gjet i vdekur këtë të shtunë në Palermo të Italisë. 54-vjeçari u gjet i pajetë brenda makinës së tij të zezë Land Rover, në zonën e Ugo La Malfa.

Sipas asaj që shkruan Corriere Della Sera, shkaqet e vdekjes nuk dihen ende, por vetë bashkëshortja e tij denoncoi menjëherë se e kishin vrarë.

“Më kanë vrarë burrin”, u tha ajo disa miqve që i telefonuan. Kishte qenë vetë eurodeputetja që kishte kërkuar të shoqin gjatë gjithë paradites dhe ishte alarmuar pasi ai nuk po i përgjigjej në telefon. Në fund Donato arriti ta gjente 54-vjeçarin nëpërmjet GPS së makinës Land Rover dhe njoftoi shërbimet e emergjencës.

Angelo Onorato, përveçse arkitekt, ishte po ashtu pronar i disa dyqaneve arredimi në Palermo.

Sipas të dhënave të deritanishme, viktima u gjet më një fashetë plastike rreth fytit. Ai u gjet i ulur në vendin e shoferit. Ndryshe nga sa u raportua në fillim, në trupin e 54-vjeçarit nuk u gjetën plagë me armë zjarri.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që Onorato kishte takim me një person pikërisht në zonën e La Malfa. Kjo rrugë, shkruan Corriere, ndodhet pranë hyrjes në autostradën Palermo-Mazara del Vallo, në drejtim të Trapani-t.

Marketing

Një dëshmitar u tha hetuesve se pak pas orës 15:00 kishte dalluar dy gra që ulërinin të dëshpëruar pranë makinës, e cila kishte një prej dyerve të hapura.

Pak pas orës 17:00 Francesca Donato mbërriti në vendin ku u gjet pa jetë bashkëshorti i saj.

Miqtë dhe të njohurit që e kishin parë Onoraton pak orë para tragjedisë u shprehën të tronditur. Pikërisht një natë më parë arkitekti kishte marrë pjesë në një festë në klubin e tenisit në Palermo.

Francesca Donato, 55 vjeçe, është parlamentare europiane e zgjedhur në 2019-n nga radhët e Lega. Ajo është dalluar për qëndrimet e saj të forta euroskeptike, si dhe kundër monedhës së përbashkët. Me shpërthimin e Covid-it, 55-vjeçarja u deklarua kundër vaksinës dhe kundërshtoi masat kufizuese e pasaportën e gjelbër. Në vitin 2021 ajo u largua nga partia e Matteo Salvinit.

Marketing
Exit mobile version