E përkthyer apo gjuhë zyrtare? – Gashi e Fetai thonë gjëra të kundërta për shqipen

Për dallim prej kryetarit të parlamentit Afrim Gashi, zv.kryeministri për vetëqeverisje të mirë, Arben Fetai, nga koalicioni VLEN nuk mendon se gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer.

Marketing

Ai në intervistë në Alsat thekson se gjuha shqipe është zyrtare sipas kushtetutës, por problem paraqet definicioni 20 për qind dhe mungesa e zbatimit të ligjit në praktikë. Ai u zotua se koalicioni VLEN do të bëjë të gjitha përpjekjet, që në momentin që hapet kushtetuta, ta heq definicionin 20 për qind.

“Është zyrtare, sipas kushtetutës, problemi me gjuhën shqipe është definicioni me 20 për qind dhe mungesa e zbatimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili siç e dimë në shumë dispozita nuk është zbatuar asnjëherë. Këtë çështje ne si koalicion Vlen kemi thënë se do ta rregullojmë dhe unë besoj se në momentin që hapet kushtetuta, do të sanohet edhe ky dëm nga qeverisja 22 vjeçare e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe gjuha shqipe do të thirret me emër në kushtetutë”, tha Arben Fetai, Zv.kryeministër për qeverisje të mirë.

Sa i përket ligjit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, i cili u paralajmëroi se do të ishte gati që në shtator, Fetai, thekson se projektligji pritet të përfundojë në ditët e fundit të këtij viti, ndërsa në debat publik do të vendoset ditët e para të vitit të ardhshëm.

“Do të punojmë në mënyrë që projektligji të finalizohet deri në fund të vitit dhe në fillim të janarit të dalim edhe publikisht me debat parlamentar e këto gjëra që i kishim diskutuar herën e kaluar. Kërkojmë pak durim sepse është proces i komplikuar”, u shpreh Arben Fetai, Zv.kryeministër për qeverisje të mirë.

Pas skadimit të afatit 6 mujor për ndryshimet kushtetuese Fetai nuk deshi të japë afat të ri. Ai topin ia hodhi partnerit të koalicionit VMRO-së, pa deputetët e të cilit thotë se nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese. Por pengesa kryesore sipas tij, është mungesa e një qeverie stabile në Bullgari. / Alsat.mk

Marketing