Edhe një skandal trondit Qeverinë e Zaevit, i përfshirë një zv/kryeministër (FOTO)

Fondi për Inovacione që është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë ka vazhduar të jetë në qendër të vëmendjes për shkak të skandaleve të vazhdueshme, për shkak të ndarjes së parave për njerëz të partisë në pushtet LSDM dhe zyrtarë qeverie. Sot disa media kanë publikuar të dhëna se kompania Kast Invest, ku bashkëpronar është zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev ka përfituar nga ky fondi mbi 160 mijë euro, informon INA.

Marketing

Bashkëpronarë të Kast Invest janë dy biznesmenë maqedonas dhe zv/kryeministri Angjushev, që pas hyrjes në Qeveri është tërhequr nga funksionet udhëheqëse nëpër kompanitë e ndryshme që ai posedon. Nga Qeveria kanë thënë se nuk është asgjë kontestuese, pasi që Angjushev është tërhequr nga bordet e këtyre kompanive ku ka pasur kapital pronësie.

Nga Fondi për Inovacione theksuan se procesi ka qenë transparent dhe se me sistemin e vlerësimit është pamundësuar ndikimi i jashtëm i ndonjë funksionari. “Tërë procesin e selektimit e bëjnë persona që nuk kanë lidhje me politikën dhe se struktura e pronësisë nuk është e rëndësishme në vlerësim”, theksuan nga Qeveria. Dje disa media publikuan se deputeti i LSDM, Hari Lokvenec po ashtu është përmendur si bashkëpronar i një shtypshkronje në Prilep, e cila ka përfituar qindra mijëra euro. Fondi për Inovacione ndau 10 milionë euro në kuadër të projektit qeveritar për zhvillim dhe rritje ekonomike, i promovuar pikërisht nga zv/kryeministri Angjushev. (INA)

Marketing