‘El Clasico’: Barcelona superiore në ‘Bernabeu’, mposht Real Madridin me katër gola diferencë

Barcelona ka bërë një super-paraqitje në ‘El Clasicon’ e sotme të luajtur në ‘Santiago Bernabeu’.

Marketing

Skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez i ka dhënë leksione skuadrës së Carlo Ancelotti, duke e mposhtur me rezultatin 0:4, shkruan lajmi.net.

Barca e nisi më mirë takimin, duke administruar mirë në mesfushë. Katalanët krijuan dy raste të mira shënimi, një me Pierre Emerick Aubameyang dhe një me Ousmane Dembele – të dyja brenda një aksioni – por Thibaut Courtois bëri dy pritje të mira.

‘Mbretërit’ reaguan me Fede Valverde që lëshoi një goditje zhagas, por Ter Stegen e ndali me sukses.

Ishte minuta e 29’ e ndeshjes kur Pierre Emerick Aubameyang zhbllokoi sfidën, me një gol të shënuar me kokë, pasi pranoi një harkim të mirë nga Ousmane Dembele.

Reali mund të barazonte lehtë me Vinicius Junior, por braziliani ishte i interesuar të fitonte një penallti që nuk ekzistoi. Barca e ndëshkoi Realin për këtë lëshim, dhe në minutën e 38’ shënoi për 0:2. Kësaj radhe shënoi Ronald Araujo – edhe ky me kokë – pas një goditje nga këndi që u ekzekutua nga Dembele.

Në pjesën e dytë, Carlo Ancelotti bëri disa ndryshime, por duket se lojtarët nuk kishin instruksionet e duhura. Brenda 10 sekondave në pjesën e dytë, Ferran u gjend 1 kundër 1 me Courtois, por goditi jashtë porte.

Në minutën e 47’, Barcelona shënoi për 0:3, kësaj radhe me Torres që u tregua më i saktë. Asistin e dha Aubameyang.

Gjashtë minuta më vonë, ‘Santiago Bernabeu’ ra në shok kur Barca shënoi edhe golin e katërt. Gjyqtari ndali për pozitë jashtë loje, por VAR e konsideroi golin e rregullt. Aubameyang ishte ai që gjeti golin e dytë personal.

Sulmuesi nga Gaboni mund të kompletonte het trik vetëm pak minuta më vonë, por nuk goditi saktë i vetëm përballë portierit.

Barca administroi mirë ndeshjen deri në fund dhe doli përpara rrezikshëm edhe në dy raste të tjera, në njërën ku Memphis mund të reagonte më mirë.

Madrilenët rrezikuan një herë me David Alaba, por Ter Stegen priti mirë edhe kësaj radhe.

Në fund, Barcelona mori fitoren 0:4 në udhëtim në ‘El Clasico’, duke dhënë mesazh të fortë për sezonin tjetër. Katalanët shkojnë në 54 pikë për pozitën e tretë, dhe janë tri pikë larg Sevillas që është në pozitën e dytë. ‘Blaugrana’ kanë një ndeshje për të luajtur dhe mund të barazohen me pikë me andaluzianët.

Real Madrid mbetet në krye të tabelës me 66 pikë, i qetë në garën për titull, por i turpëruar nga rivali kryesor.

Marketing