Transha e dytë e kredive të volitshme për ndërmarrje të vogla dhe të mesme nga Banka Investuese Evropiane (BIE), në vlerë prej 16 milion euro, do të arrijë në fillim të javës së ardhshme. Me këto mjete do të mbështeten projektet e 53 firmave të vogla dhe të mesme. Kjo ishte theksuar sot në takimin mes zëvendësministres së Financave Shiret Elezi dhe drejtorit operativ kryesor të Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut Veland Ramadani.
Siç ka informuar Ramadani, me dy transhat e para do të tërhiqen gjithsej 31 milion euro për mbështetje të 92 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Banka zhvillimore punon edhe në përgatitjen për tërheqjen e transhës së tretë në vlerë prej rreth nëntë milion euro për mbështetje të 20 ndërmarrjeve të reja të vogla dhe të mesme.
Në mbledhje siç kumtoi Ministria e Financave, është potencuar se kreditë e volitshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme vlejnë qasje te kapitali dhe likuiditet të përmirësuar, ndërsa për ekonominë vlejnë investime të reja dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Drejtori Operativ i Bankës Zhvillimore, Ramadani potencoi se përmes linjës kreditore të BIE, Banka Zhvillimore vazhdon ta realizojë përcaktimin e saj strategjik për mbështetje të ekonomisë së Maqedonisë dhe arritje të zhvillimit të përmbajtur, përmes mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Nga Ministria e Financave citojnë se kushtet nën të cilat mund të shfrytëzohen mjetet e linjës kredituese të BIE-së janë jashtëzakonisht të volitshme, përkatësisht shkalla e interesit prej 3,2% dhe afati i pagesës deri 12 vjet për investimet dhe projektet prioritare, edhe deri në tre vjet për mjete kthyese. Veprimtaritë e mbështetura me linjën e pestë kredituese BIE për të dy transhat janë prodhimtaria, tregtia, ndërtimtaria, transporti, shëndetësia dhe arsimi, hotelet dhe restorantet dhe veprimtaritë tjera.
Vlera e tërësishme e linjës së pestë kredituese të BIE-së arrin 100 milion euro dhe marrëveshja për shfrytëzim të së njëjtës ishte nënshkruar në shtator të vitit të kaluar. Deri tani përmes Bankës zhvillimore janë realizuar katër linja kredituese të volitshme nga BIE, me vlerë të tërësishme prej 350 milion euro.