Erdogan: Pozicioni i Turqisë për blerjen e sistemeve raketore ruse nuk ndryshon

“Pozicioni i Turqisë për blerjen e sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400 është i pandryshuar dhe çështja është një marrëveshje e përfunduar”. Kështu është shprehur këtë të premte presidenti turk Erdogan.

Marketing

Ai shtoi se bisedimet me Uashingtonin për avionët dhe pajisjet e reja F-16 po shkojnë mirë.

SHBA vendosi sanksione ndaj industrisë së mbrojtjes të Turqisë anëtare të NATO-s në dhjetor 2020 mbi S-400 dhe e përjashtoi Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35, ku ishte prodhues dhe blerës. Ankaraja tha se lëvizjet ishin të padrejta.

Sipas medias turke Haberturk, Erdogan u tha gazetarëve gjatë kthimit nga samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s në Bruksel se shpresonte që bisedimet pozitive për blerjen e avionëve të rinj F-16 nga Ëashingtoni do të jepnin së shpejti rezultate.

Erdogan po ashtu hodhi poshtë raportimet se zyrtarët amerikanë jo zyrtarisht kishin folur me Turqinë për mundësinë e dërgimit të sistemeve S-400 në Ukrainë, duke thënë se një veprim i tillë do të çonte në përkeqësim të situatës.

Erdogan tha po ashtu se kishte diskutuar mundësinë e blerjes së sistemeve të mbrojtjes raketore SAMP-T nga konsorciumi franko-italian Eurosam me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin italian Mario Draghi.

Marketing