Vendimi i Rusisë për të tërhequr trupat afër qytetit jugor të Ukrainës, Kherson, është një hap pozitiv, tha të enjten presidenti turk Tajip Erdogan, shkruan skynews.
Erdogan po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me perspektivat e bisedimeve midis Moskës dhe Kievit në një konferencë për shtyp përpara se të nisej për një vizitë në Uzbekistan për një samit të shteteve turke.
Disa zona të Khersonit u morën në kontrollin e forcave ruse në fillim të luftës dhe nëse konfirmohet, kjo do të jetë nga tërheqjet më të rëndësishme të Moskës. Megjithatë, zyrtarë të tjerë ukrainas dhe aleatë perëndimorë kanë hedhur dyshime mbi qëllimet e Moskës dhe çfarë mund të nënkuptojë diçka e tillë.
Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha se Kievi nuk sheh “asnjë shenjë se Rusia po largohet plotësisht nga qyteti” i Khersonit dhe tha se këto deklarata “mund të jenë dezinformata”.
Kherson është një objektiv kryesor si për Moskën ashtu edhe për Kievin për shkak të lumit dhe portit të tij kryesor – ai është gjithashtu një portë për në Gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia.