Escobar: Për euro-integrim, Kosova duhet t’u japë më shumë autonomi serbëve në veri

Kosova duhet t’u japë autonomi më të madhe komunave me shumicë serbe në veri të vendit nëse dëshiron t’i afrohet anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, tha të mërkurën i dërguari i ShBA-së në Ballkanin Perëndimor.

Marketing

Gabriel Escobar i kërkoi gjithashtu Kosovës që të tërhiqte policinë dhe kryetarët e bashkive nga zyrat e tyre në zonat me shumicë serbe për të de-përshkallëzuar tensionet dhe më pas për të mbajtur zgjedhje të reja komunale në të cilat do të merrnin pjesë serbët, raporton “Reuters”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një intervistë të mërkurën i tha “Reuters”-it se vendi i saj mund të mbajë zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe nëse 20% e votuesve nënshkruajnë një peticion duke i kërkuar ato.

Escobari u tha gazetarëve në ambasadën e ShBA-së në Beograd: “Nëse Kosova dëshiron të shkojë drejt integrimit euroatlantik, do të duhet të krijojë (një asociacion të komunave (me shumicë, shën.red.) serbe)”.

“Kjo do të ndodhë. Pyetja është, a do të ndodhë me këtë qeveri (të Kosovës) apo me një qeveri tjetër, të ardhshme”.

Serbia, e cila përkrah rreth 50,000 serbë në Kosovën veriore si financiarisht ashtu edhe politikisht, do të duhet të sigurojë që serbët e këtij rajoni të marrin pjesë në zgjedhjet e reja, shtoi Escobar, transmeton Klankosova.tv.

Katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre dhe po sfidojnë qeverinë në Prishtinë.

Serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e vendit dhjetorin e kaluar. Ata duan autonomi më të madhe, sipas dispozitave të një marrëveshjeje të 2013 të sponsorizuar nga BE, e cila parashikonte formimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

Kryeministri Albin Kurti heziton të zbatojë marrëveshjen sepse ka frikë se nëse u jepet më shumë autonomi, serbët mund të mbajnë një referendum për t’u bashkuar me Serbinë në vend që të qëndrojnë si pjesë e Kosovës.

Përforcimet për forcën paqeruajtëse të NATO-s filluan të mbërrijnë në Kosovë këtë javë pas trazirave të fundit.