Me rastin e ditës ndërkombëtare të mbulesës FRI ka organizuar manifestim shkencor dhe kulturor në Kumanovë, ku janë ndarë edhe shami falas. Poashtu janë incizuar video biseda me femra të suksesshme në Maqedoni me mbulesë, mes tjerash edhe me arkitekten nga fshati Sllupçan i Likovës (Kumanovë), Esra Iljazi, e cila në vitin 2017 u zgjodh studentja më e mirë e arkitekturës në Maqedoni. Në këtë video, flet me krenari për mbulesën, e cila në asnjë moment nuk i ka penguar të arrijë suksese.
Esra Iljazi, përveç që ishte studentja më e dalluar për vitin 2017 në fakultetin e arkitekturës pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, njëherit ishte edhe studentja e parë shqiptare që dekorohet me këtë çmim që organizohet që nga viti 2004 nga Instituti i Inxhinierisë në Maqedoni, shkruan Gazeta Lajm.
Esra Iljazi, e lindur në Sllupçan (komuna e Likovës), në janar të këtij viti diplomoi në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, duke marrë titullin, Magjistër Inxhinier Arkitekt.
Esra qysh në hapat e parë të shkollimit njihej për zgjuarsinë dhe arritjet e saja në lëmi të ndryshme , konkretisht në lëndën e matematikës duke ngadhënjyer shumë çmime të para si në gara rajonale shtetërore ashtu edhe në mbarëkombëtare.
Esra vazhdoi rrugëtimin e saj me përkushtim të njejtë edhe gjatë shkollimit të mesëm dhe atij universitar duke treguar sukses të veçantë nga të tjerët. Puna e saj, fillimisht u cilësua nga kuadri i fakultetit të arkitekturës si studente e dalluar e më pas edhe nga institucionet më të larta.
Me 14 mars 2017, Esrës nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” i ndahet shpërblimi “26 KORRIKU” që i paraprinë shpërblimit të radhës, atij më prestigjioz “Unaza e Inxhinierisë 2017”.
Vlenë të theksohet se familja Iljazi nga Sllupçani, njihet si familje e arsimuar dhe e edukuar kombëtarisht dhe fetarisht.
Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, para Esrës, si mjeke ka diplomuar motra e saj Xhejlanja, ndërsa vëllezërit, Qerami pranë diplomimit si inxhinier i ndërtimtarisë dhe vëllau më i ri Murseli poashtu ndjek hapat e vëllaut, viti i parë pranë fakultetit të ndërtimtarisë në po të njejtin Universitet.