Etemi nuk tërhiqet nga projekti, pasi komunës nëse ndërpret investimin (Video)

Me këtë dokument investitori Fatmir Etemi konfirmon se leja për ndërtimin e ndërtesës 9-katëshe përballë “Majçin domit” është e plotfuqishme dhe e lëshuar me procedura të rregullta ligjore. Ai thotë se përpjekjet për pengimin e këtij projekti janë politike dhe jo për çështje të gjelbërimit.

Marketing

Në rast të mosrespektimit të lejes, ai do të padisë komunën për dëm.

“Në qoftë se vazhdon kjo punë kështu sigurisht se do t’i padisim për dëmshpërblim në gjyq dhe ai dëmshpërblim do të jetë shumë i madh. Kjo më ngjan si me qeverinë e kaluar, kur ia rrënuan objektin Fiat Canovskit, tani kjo qeveri nuk i lë biznesmenët të punojnë, që është paradoks”, tha Fatmir Etemi, Investitor/Ndërtues.

Vendimit të komunës për ndalim të punimeve për 15 ditë, Etemi thotë se do t’i përgjigjet në rrugë ligjore sepse ky vendim do t’i shkaktojë dëm financiar duke ia vonuar finalizimin e projektit.

“Edhe komuna ka bërë shumë gabim që e ka ndërprerë punën sepse i jep motiv shtysë njerëzve që i bëjnë presion komunës dhe ne sigurisht që do të ankohemi tek vendimi komunës dhe besojmë se do ta fitojmë atë ankesë”, u shpreh Fatmir Etemi, Investitor/Ndërtues.

Dje kryetari i Komunës së Aerodromit Zllatko Marin tha se qëndron në anën e qytetarëve në luftën e tyre për mbrojtje të hapësirës publike, ndërsa zgjidhjen po e kërkon përmes dialogut.

“Kam lëshuar vendim për ndalim të ndërtimeve. Ndërtimi ka ndaluar ndërsa tani kërkojmë zgjidhje përmes diskutimit. I ndërmarr të gjitha masat dhe përpjekjet e mundshme, me të gjitha palët e përfshira, për të gjetur mënyrë afatgjatë të mbrojtjes së hapësirës përballe “Majçin Domit”, tha Zllatko Marin, Kryetar i Komunës së Aerodromit.

I pari i Aerodromit dje tha se shpreson që kjo çështje të zgjidhet në dy javët e ardhshme. Ndërkaq investuesi i “ZSF-KOM” Fatmir Etemi sot për TV21 tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projekti. Sipas tij, nëse Komuna dëshiron ta blejë pronën tek “Majçin Domi”, është i gatshëm ta shesë, por me çmim që përfshin edhe harxhimet e bëra, e që kap shifrën rreth 5.5 milion euro.

Nesër Komuna e Aerodromit ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për ndërtimin në fjalë. Madje ka ftuar edhe qytetarë dhe përfaqësues të shoqatave për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje. Dy ditë më parë qytetarë të kësaj komune të Shkupit protestuan para hapësirës ku planifikohet ndërtimi i pallatit me apartamente banimi.