Etjen Xhafaj: Akuzat e PD-së janë alibi për të justifikuar humbjen

Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj përballë gazetares Ilva Tare në Euronews Albania po flet për garën e 25 prillit në Kavajë dhe strategjitë se si selia rozë fitoi në këtë bashki.

Etjen Xhafaj, deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, tha në studion e “Ilva Now” se si deputet që do të futet për herë të parë në Parlament, gjëja primare për të është bashkëpunimi me opozitën.

“Gjëja e parë që mund të japim të gjithë është ulja e toneve dhe bashkëpunimi me palën që kemi përballë”, u shpreh Etjen Xhafaj.

Marketing

Etjen Xhafaj tha se akuzat e PD-së për blerje votash janë, sipas tij, alibi për të justifikuar si humbjen, ashtu edhe qëndrimin në detyrë si kreu i PD-së të Lulzim Bashës.

“Po kërkojnë alibi për të justifikuar një humbje dhe një nevojë për të ndenjur në pushtet brenda partisë. Mesazhet thelbësore të PD-së ishin: është djalë i mirë dhe na ka ardhur radha. Këto nuk japim shpresë te populli, janë kalkulime pragmatiste që qytetarët nuk i besojnë”, u shpreh Etjen Xhafaj.

Z. Xhafaj përmendi zgjedhjet kur PS-ja ka kandiduar ndërkohë që në pushtet ishte PD-ja dhe tha se rrethanat kanë qenë të vështira për opozitën.

“Unë jam futur në politikën aktive në PS në zgjedhjet e vitit 2009, pasi kam menduar se ky është një moment për të mbajtur qëndrim dhe për të thënë se kjo nuk shkon më. Jo duke e sulmuar palën përballë, por duke u përpjekur që të organizonim ata që nuk besonin se do të kishim ndryshim. E di se çfarë do të thotë të fitosh përballë intimidimit të pushtetit”, u shpreh z. Xhafaj.