Fakulteti i Arteve i UT-së do ta përurojë muralin “Arti do ta shpëtojë botën”

Në ditët e fundit të këtij viti akademik në hyrje të ambienteve të programit studimor Art Figurativ po realizohet një mural i frymëzuar nga një skenë e filmit “Leon: Profesionisti” e modifikuar, me motiv protagonisten kryesore të filmit të njohur si Matilda.
Ky mural është duke u realizuar nga dy studente të drejtimit të pikturës Azra Tairi dhe Gentiana Hasani dhe do të përurohet më 10 qershor 2024, në orën 12:00, kur edhe do të bëhet hapja solemne e ekspozitës dhe aktiviteteve tjera të fundvitit akademik 2023/24 të Fakultetit të Arteve.
Ideja për t’u realizuar ky mural u mbështet nga vet dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli i cili ishte pjesë e pandarë e gjithë procesit të realizimit teknik të këtij murali që po realizohet për herë të parë në përmasa të këtilla në Fakultetin e Arteve.
Nismat e këtilla po gjejnë mbështetjen e duhur nga udhëheqësia e Fakultetit dhe Universitetit dhe janë inkurajuese edhe për studentët tjerë të cilët në të ardhmen mund të kenë ide novatore dhe kreative.
Mesazhi kryesor që përcjell filmi nga i cili lindi ideja për realizimin e këtij murali është se pa
dashuri jemi të vdekur dhe se vetëm dashuria mund të shpëtojë botën. Simbolika e këtij mesazhi përcillet përmes një bime të mbjellë në saksi për të cilën kujdesen deri në fund dy protagonistët e këtij filmi me idenë dhe dëshirën për ta mbjellur atë në tokë e për të lëshuar rrënjë. Në muralin e realizuar nga dy studentet, kjo bimë është zëvendësuar nga një vazo me lule dielli të Van Gogut të cilën e mban në duar Matilda. Ky mural është shoqëruar edhe nga një mbishkrim që thotë se Arti do ta shpëtojë botën.
“Në një kohë kur njerëzimi nuk po jeton ditët e tij më të mira, mesazhi që përcjell ky mural përmes punës së studenteve tona dhe mbështetjes së vazhdueshme dhe pa kompromis të nismave të këtilla nga dekani i Fakultetit të Arteve dhe udhëheqësia e Universitetit është sublim dhe më se i nevojshëm.” – tha prodekania për Shkencë e këtij fakulteti Prof. Ord. Nora Halimi.
Fakulteti i Arteve për nesër ka paralajmëruar edhe të aktiviteteve të tjera, si ekspozitën dhe koncertin e studentëve dhe shfaqjen e diplomës “Qentë e rezervuarit”.

Marketing
Marketing