Fal rripit të sigurimit dhe hapjes së “air begut”, Naim Gashi nga Prishtina sot është gjallë dhe shëndosh. Ai, së bashku me disa familjarë të tij, të premten ishin pjesë e një aksidenti të rëndë komunikacioni që ndodhi në magjistralen Shkup-Bllacë. Në rrëfimin e tij për gazetën KOHA, Gashi i demanton deklaratat e disa dëshmitarëve okularë se shkaktar për këtë aksident ka qenë ai dhe shton se e gjithë ngjarja ka qenë si rezultat i fajit të veturës “BMW” me targa të Tetovës.
“Vetura ‘BMW’ me targa të Tetovës ka hyrë në tejkalim në vija të plota, ndërsa ka tejkaluar një veturë me targa të Shqipërisë, në të cilin kishin qenë tre shtetas gjerman, dhe ka dalë në korsinë tonë dhe ka ardhur në drejtim të ‘Renos’ (vetura e Naim Gashit). Unë kam menduar se do ta tejkalojë dhe kam ikur nga ana e djathtë e jona në maksimum pasi rruga ka rrethojë. Por, ‘BMW’ prapë ka ardhur në drejtim tonin. Për tu mos u aksidentuar direkt kam filluar me marrë drejtimin nga ana tjetër, por atëherë ke shumë vonë edhe vetura ‘BMW’ na ka goditur në anën e djathtë. Dëshmitarë edhe në polici janë bërë personat që kanë qenë në veturën me targa të Shqipërisë dhe ata na e kanë dhanë ndihmën e parë dhe na ka ndihmuar që të dalim nga vetura”, thotë Gashi.
Përpos dëmeve të mëdha materiale, nga aksidenti i komunikacionit që ndodhi të premten në rrugën drejtë pikës kufitare Bllacë-Hani i Elezit, rëndë kanë mbetur të lënduar edhe dy shtetas të Kosovës. Sipas shoferit të veturës “Reno”, Naim Gashi, në Qendrën Klinike “Nëna Tereza” në Shkup është hospitalizuar njëri prej bashkudhëtarëve të tij, i cili ka dëmtime të rënda, respektivisht kokën e çarë në anën e majtë, arkadën poshtë syrit të dëmtuar e lëndime të tjera trupore. Njëkohësisht një familja i tij, por me lëndime më të lehta është transferuar në Spitalin “8 Shatori”, ku dhe i është operuar krahu i majtë. Ndryshe, shtetasi i Kosovës, Naim Gashi të hënën pritet të paraqitet para Gjykatës përkatëse, ku edhe të jepet vendimi përfundimtar për këtë aksident komunikacioni.
Kësisoj, aksidentet e rënda të njëpasnjëshme në Shkup dhe rrethinë kanë ndikuar që policia e këtij qytetit gjatë ditës së diel të shqiptoj rreth 400 gjoba. Kontrollet e kryera nga policia rrugore e Shkupit, siç njoftojnë nga MPB në shënjestër i ka pasur shoferët që automjetet e tyre i ngasin nën ndikimin e alkoolit.
“Tek 29 vozitës është konstatuar prezenca e alkoolit në gjak, përderisa katër shofer automjetesh gjatë kontrollit me 16 qershor kanë refuzuar ti nënshtrohet këtij testi. Të gjithë këto shofer janë përjashtuar nga komunikacioni. Përpos gjobave që u janë shqiptuar, atyre u janë konfiskuar edhe patentë shoferët. Njëkohësisht janë konstatuar edhe 85 kundërvajtje tjera nga shofer automjetesh”, thonë nga MPB. Po ashtu, policia e Shkupit gjatë vikendit të kaluar i ka gjobitur edhe mbi 120 shoferë automjetesh, pasi të njëjtit e kishin tejkaluar shpejtësinë e lejuar të vozitjes në kryeqytet.
Megjithatë, jo çdoherë gjobat e kësaj natyre japin rezultati ne duhur. Tregues më i mirë i kësaj situate është rasti i disa ditëve më parë që ndodhi në bulevardin “Boris Trajkovski” në Shkup, ku jetën humbën dy banor të fshatit Batincë, rrethinë e Shkupit. Autoritet policor pas kësaj ngjarjeje njoftuan se njërit prej të aksidentuarve brenda tre muajve të kaluar i janë shqiptuar 16 gjoba, të cilat fatkeqësisht nuk ndikuan në ngritjen e vetëdijes së tij si shofer. (koha.mk)