Sot, ministri Besimi bleu në mënyrë simbolike fletobligacion të qytetarëve – Kontribuojmë në zhvillimin e vendit, me ç’rast u bëri thirrje qytetarëve që të përfshihen në këtë proces
Ministri i Financave, Fatmir Besimi iu bashkua procesit të emetimit të fletobligacioneve të qytetarëve me blerjen simbolike të një fletobligacioni të qytetarëve. Ministri këtë e ka bërë të ditur në profilin e tij në FB, duke theksuar se me këtë investim kontribuojmë në zhvillimin e vendit në projekte zhvillimore që financohen nga buxheti dhe janë në interes të ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
“Kam parashtruar kërkesë në Bankë për blerjen e letrave me vlerë – “Fletobligacion të qytetarëve”, Banka do të më informojë mbi rezultatin e ankandit që do të mbahet më 13 korrik të vitit 2023, ndërsa posedimi i fletobligacioneve të qytetarëve do të evidentohet në Depozitarin e Letrave me Vlerë, më 20 korrik të vitit 2023”, shkruan ministri në FB.
Duke theksuar se ky investim prej 10.000 denarësh pritet të sjellë rendiment prej 500 denarësh dy vite me radhë, përkatësisht më 20 korrik të vitit 2024 dhe në të njëjtën datë të vitit 2025, kur do të kthehet vlera e investuar prej 10.000 denarësh, u bën thirrje qytetarëve që të jenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm në vend, i cili, siç thuhet, u ofron atyre mirëqenie personale me investime të sigurta dhe të favorshme.
Ministri thekson se për të shmangur çdo konflikt interesi, për shkak të detyrës publike si ministër i Financave dhe me kompetenca vendimmarrëse në emetimin e letrave me vlerë më qëllim të financimit të buxhetit, nuk do të marrë pjesë në investime shtesë në fletobligacionet e qytetarëve gjatë kryerjes së kësaj detyre publike.