Fauci: Ata që e kanë kaluar COVID-19 dhe janë vaksinuar, më të mbrojtur ndaj varianteve të reja

Njerëzit të cilët e kanë kaluar COVID-19 dhe të cilët më pas edhe janë vaksinuar kundër këtij virusi, janë më të mbrojtur kundër varianteve të reja të tij, ka thënë të mërkurën, shefi i zyrës mjekësore të Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci.

Ai ka cituar një studim të publikuar në fund të muajit prill, i cili ka gjetur se pas një doze të vaksinës Pfizer – BioNTech, njerëzit e prekur paraprakisht nga koronavirusi, kanë përgjigje më të mirë imune kundër varianteve B.1.1.7 dhe B.1.351, variante këto të hetuara fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Afrikën Jugore, shkruan CNBC.

Fauci ka cituar po ashtu një studim shtesë, i cili është publikuar online, e sipas të cilit, njerëzit e infektuar dhe të cilët kanë marrë të dy dozat e vaksinës, patën mbrojtje ende më të lartë kundër këtyre varianteve.

Marketing

Ai ka thënë se ky studim tregon se dobitë e vaksinimit janë të mëdha.

“Vaksinat janë shumë efikase”, ka thënë Fauci me këtë rast.

Deklarata e tij vjen vetëm pak kohë pasi administrata e presidentit Biden ka theksuar se synohet vaksinim i pjesshëm i 70% të të rriturve dhe po ashtu vaksinimi i plotë i 160 milionë të të rriturve amerikanë, deri më 4 qershor të këtij viti, një datë kjo që pritet të jetë kthesë e madhe në këtë pandemi.

Javëve të fundit ritmi i marrjes së dozës së parë të vaksinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rënë, ndonëse zyrtarë shëndetësorë kanë thënë se janë duke punuar intensivisht që të krijojë mundësinë që secili të marrë dozat e vaksinës, dhe po ashtu që t’i inkurajojë ata që ende hezitojnë të imunizohen.