Një grup ekspertësh dhe aktivistësh nga të pestë kontinentet iu drejtuan krijuesit të Facebook-ut dhe Instagram-it, Mark Zuckenberg, për t’i ndryshuar këto platforma në mbrojtje të fëmijëve.
“ALO 116111”, Linja për sigurinë e fëmijëve në internet në Shqipëri, iu bashkua thirrjes së 15 tetorit dhe shqetësimit të Aleancës Globale.
Mirgit Vataj, drejtues i Linjës Kombëtare, shprehet se “janë të shumta telefonatat që vijnë. Ato u përkasin kryesisht moshave 13-15 vjeç, që raportojnë raste të ngacmimit apo abuzimit seksual”.
Sipas një studimi të Shoqatës Kombëtare për Parandalimin e Mizorisë ndaj Fëmijëve (NSPC), “fëmijët janë më të prekurit se kurrë nga rrjetet sociale”.
“1/3-ta e abuzuesve dhe manipuluesve të fëmijëve përdorin Instagram-in për rekrutim të viktimës”, thotë Shoqata.
Pothuajse 60 organizata, të sigurisë së fëmijëve dhe drejtuesit e sektorëve, të udhëhequr nga NSPC kanë shprehur shqetësime të mëdha mbi qasjen që ka Facebook për mbrojtjen e fëmijëve nga dëmtimet serioze.
Vataj hedh gjithashtu dyshimin se “në Shqipëri ekziston një rrjet pedofilësh dhe këtë ia kemi referuar edhe policisë”.
Aleanca globale i kërkoi Mark Zuckerberg-ut që në Facebook të publikohen studimet në lidhje me rreziqet me të cilat përballen fëmijët dhe të rinjtë në platformat sociale.
Kjo lëvizje erdhi pasi ish-punonjësja e kësaj platforme, Frances Haugen, zbuloi se si Facebook dështoi në vërtetësinë e provave të grumbulluara për ndikimin e Instagram në shëndetin mendor të vajzave adoleshente.
Përgjegjësja e Sektorit të Shëndetit Mendor në Shqipëri, Jonida Haxhiu, në një prononcim për AP-në thotë se “kërcënimet e mundshme ndaj fëmijëve në mediat sociale përfshijnë përmbajtje të papërshtatshme për moshën, shfrytëzimin seksual, mashtrimet dhe bullizmin kibernetik”.
Nëse ne i njohim rreziqet për fëmijët në mediat sociale, “mund t’i mbani ata më të sigurt në internet”, thekson ajo.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Gëzim Hoxha, thotë për Albanian Post se “Aplikacionet e kontrollit prindëror po bëhen gjithnjë dhe më të avancuara për t’i ndihmuar prindërit të mbajnë nën kontroll aktivitetin digjital të fëmijëve të tyre”.
“Nga kufizimi i kohës para ekranit, bllokimi i aplikacioneve specifike në vendndodhje të caktuara dhe filtrimi i përmbajtjes që fëmijët mund të shohin, aplikacionet e sigurisë u lejojnë prindërve të personalizojnë aplikacionet e familjes së tyre”.
Gjatë fjalës së saj, psikologia sjell edhe shembuj të disa nga kërcënimet që duhen të merren parasysh kur fëmijët lundrojnë në internet, si:
“Maniakë që synojnë fëmijët”
“Sulmi” mund të fillojë me një kërkesë, ose mesazh të rastësishëm për miqësi. Maniakët manipulojnë fëmijët me interesa të supozuara të përbashkëta.
Më vonë, ata luajnë me kuriozitetin e tyre natyror dhe orientohen drejt territorit seksual. Përfundimisht, përmes kësaj përkujdesjeje, ata fitojnë besimin dhe shfrytëzojnë viktimat e tyre.
“Skemat e vjedhjeve të identitetit dhe mashtrimet”
Mashtruesit fshihen gjithashtu në mediat sociale. Një kërkesë e thjeshtë për miqësi ose një kërkesë për ndjekje mund të jetë gjithçka që u nevojitet për t’u lidhur me fëmijët tuaj.
Shumica e të rriturve kanë përvojë të mjaftueshme me mashtruesit, telefonatat dhe email-et automatike. Mijëra të mitur ndeshen me mashtrime si vjedhja e identitetit çdo vit, shpesh nga mediat sociale.
Përmbajtje “e papërshtatshme”
Dhuna, racizmi, droga dhe seksi mund të gjejnë rrugën e tyre në burimet e pambrojtura të mediave sociale.
“Ndarja e postimeve dhe imazheve për të cilat do të pendohen më vonë”
Fëmijët mund të mos i kuptojnë pasojat afatgjata të asaj që zgjedhin të vendosin në internet. Në fund të fundit, shpesh është aq e thjeshtë sa aplikimi i një filtri dhe shtypja e ikonës “post”.
Shkëmbimi i informacionit personal mund të jetë mjaft i keq, pasi mund të hapë derën për mashtruesit, por fëmijët përgjithësisht nuk arrijnë ta kuptojnë këtë.
“Dezinformata”
Profilet dhe robotët e rremë përhapin gjithçka: nga informacioni i rremë politik, deri te shkenca false e shëndetit.
Fëmijët mund të shohin gënjeshtra flagrante të maskuara si fakte çdo ditë.
Bullizmi kibernetik
Ngacmuesit kibernetikë përdorin ndikimin e tyre në internet për të ngacmuar bashkëmoshatarët e tyre.
Sipas një studimi të Pew Research, gati 60% e adoleshentëve janë përballur me ngacmime në internet.
Në kohën ku jetojmë, fëmijët krijojnë profile me thashetheme për shkollën, dërgojnë mesazhe ofenduese dhe postojnë materiale të dëmshme për njëri-tjetrin.
“Varësia nga mediat sociale”
Mediat sociale janë të kuruara në thelb për t’i mbajtur fëmijët të gozhduar. Psikologët ekspertë përshtatin faqet sociale me dizajn bindës, një formulë psikologjike ndihmon rrjetet sociale të jenë tërheqëse.
Çfarë duhet të bëjnë prindërit?
Psikologia Haxhiu ravijëzon se “për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të jenë të sigurt në mediat sociale, vendosni rregulla bazë, mësojuni rreth rreziqeve dhe udhëhiqini ata për të reduktuar kohën në mediat sociale”.
“Gjithashtu”, thotë ajo, “duhet që të kufizoni aksesin e tyre në aplikacione në pajisjet celulare, në mënyrë që ata ta bëjnë këtë vetëm në shtëpi, ku mund të monitoroni më mirë kohën e tyre në internet”.
Në mënyrë që fëmija juaj të mos ketë frikë të vijë te ju nëse ndeshet me një situatë të rrezikshme, kur lundron në internet, ju duhet të komunikoni hapur.
Nga ana tjetër, eksperti Hoxha nga ‘FISA’ – The Albanian CYBER Academy, shpjegon se “kontrollet prindërore të iPhone mund ta mbajnë fëmijën larg përmbajtjeve delikate dhe të rregullojnë kohën para ekranit”.
Ai rendit edhe disa aplikacione monitoruese dhe kufizuese, si “Kaspersky Safe Kids, Kidgy – Parental control app, FamiSafe – Parental Control, Net Nanny Parental Control Softëare, Net Nanny Parental Control Software etj”.
Gjithashtu mund të kontrollojnë blerjet dhe të vendosni kufizime për përmbajtjen dhe privatësinë. Kontrollet prindërore mund të aksesohen të gjitha nëpërmjet seksionit “Koha e ekranit” (Screen Time) dhe të gjitha mundësitë janë aty.
“Mënyra e vetme e mundshme për t’i mbajtur fëmijët tuaj të sigurt në platformë është duke aktivizuar kontrollet prindërore në Instagram. Ose duke instaluar një aplikacion të palëve të treta si SecureTeen në telefonin e fëmijës, apo kontrollet e integruara prindërore të ofruara nga Instagram”.