Adam Abu-Bashal
Nigeria, vendi me popullsinë më të dendur muslimane në Afrikën Perëndimore, vazhdon traditën “Hawan Daushe”, e cila organizohet me kalërim tashmë 600 vjet me rastin e Fitër dhe Kurban Bajramit.
Tradita “Hawan Daushe” që do të thotë kalërim në gjuhën Hausa, vazhdon në Kano, Katsina, Sokoto, Zazzau, Bauchi, Katsina dhe Bida, në rajonin verior Hausa të vendit.
Zbukurimet e vendosura mbi kuajt gjatë festivalit dhe veshjet e mbretit, prijësve të zonave dhe kalorësve krijojnë imazhe shumëngjyrëshe. Gjithashtu, performanca e valltarëve, daulltarit dhe muzikantëve i shton një shije të veçantë kësaj tradite.
Dujima Bashar Lame, prijës i rajonit Bauchi, tha për Anadolu Agency (AA) se Hawan Daushe shënohet prej më shumë se 600 vitesh në territoret e fisit Hausa dhe se kjo traditë ka lindur për të treguar fuqinë e emirateve, të cilat, sipas tij, në atë kohë zhvillonin në luftëra të ndryshme.
“Hawan Daushe në atë kohë (600 vjet më parë) përdorej si mënyrë për të treguar forcën dhe aftësitë e ushtarëve të emirateve para se të shkonin në luftë. Kështu, njerëzit e rajonit inkurajoheshin dhe armiqtë e tyre trembeshin”, tha Lame.
Lame vuri në dukje se Hawan Daushe u bë një traditë e Bajrameve gjatë mbretërimit të Mbretit të Kano-s Sarki Muhammadu Babba Rumfa në fund të shekullit të 14-të.
Sipas tij, Sarki Muhammadu Babba Rumfa tregoi edhe forcën e ushtarëve, por edhe pasurinë e tokave me këtë traditë.
“Në të njëjtën kohë, mbreti e përdori këtë si një mundësi për t’ua uruar festat njerëzve. Për më tepër, krerët rajonalë e shfrytëzonin këtë mundësi për t’ia uruar festën mbretit dhe për ta përshëndetur”, shtoi Lame.
Kjo traditë, tha ai, është ruajtur sot e kësaj dite në rajonet e populluara nga populli Hausa.
Lame tha se festivali zgjat të paktën dy ditë, por kjo ndryshon sipas rajoneve.