Fetai: Drejtësia joselektive dhe shembullore për krimet e gjuhës së urrjetjes dhe mosdurimit

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, sot dënoi djegien e flamurit maqedon dhe shqiptar duke i cilësuar si vepra qyqare, të cilat dëshmojnë për rritjen e rrezikshme të mosdurimit dhe ekstremizimit në shoqëri.
“Aktet e tilla të urrejtjes dhe ndarjes etnike dëmtojnë stabilitetin e vendit dhe rrezikojnë të ardhmen e shoqërisë tonë shumëetnike”, shkruan Zëvendëskryeministri Fetai në profilin e tij në Facebook.
Në regimin e tij, Fetai vlerëson se përdhosja e flamujve nuk janë incidente të izoluara, por dëshmojnë për përshkallëzimin e gjuhës së urrejtjes dhe ekstremizmit të pranishëm moti në hapësirën publike, i cili nxit urrejtje dhe mosdurim.
“Sa dënime janë shqiptuar deri më tani për ekstremistët që kërkojnë dhoma gazi për shqiptarët apo brohorisin shqiptari i mirë është shqiptar i vdekur?”, pyet Fetai duke shtuar se atmosferën e shpifur e nxisin politikanë ekstremistë dhe të korruptuar, të cilët manipulojnë dhe indoktrinojnë qytetarët për interesat e tyre personale.
Ai fton për bashkim kundër ekstremizmit dhe kërkim llogaridhënie për çdo krim të gjuhës së urrejtjes apo mosdurimit në baza kombëtare.
“Drejtësia duhet të jetë e verbër, e paanshme dhe shembullore – llogaridhënia selektive vetëm se thellon ndasitë dhe prodhon më shumë urrejtje”, thekson Fetai duke kërkuar zëvendësimin e urrejtjes me dialog dhe mbajtjen përgjegjës të të gjithë aktorëve ekstremistë dhe destabilizues.

Marketing
Marketing