Filipçe: Të sanksionohen përgjegjësit për shkeljet në koncertin e Petar Grashos

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot ju bëri thirrje kompetentëve menjëherë të reagojnë dhe në mënyrë të duhur t’i sanksionojnë përgjegjësit për shkeljen eventuale të protokolleve në koncertin e Petar Grashos në Herakleu në Manastir.

Marketing

Ai në profilin e tij në Fejsbuk sqaroi se së bashku me Komisionin për Sëmundje Infektuese ka pasur takim me organizatorët e ngjarjeve ku i kanë përcaktuar protokollet e miratuara, sipas të cilave ngjarjet mbahen vetëm në qiell të hapur, me maksimum 50 për qind publik prej kapacitetit të paraparë.

“Nuk mund të hesht para shkeljes së madhe të protokolleve në koncertin e Petar Grashos në Herakleu në Manastir. Komisioni për Sëmundje Infektuese dhe unë personalisht gjatë qershorit i kam pasur disa takime me organizatorët e ngjarjeve në të cilat së bashku i kemi përcaktuar tani më protokollet e miratuara ndërsa sipas të cilave midis tjerash, ngjarjet mbahen vetëm në hapësira të hapura me maksimum 50% të publikut prej kapacitetit të paraparë, distancë e obligueshme nga vizitorët prej 1,5 m, mbajtje e obligueshme e maskës dhe dezinfektim i duarve si dhe matja e temperaturës në hyrje për çdo vizitor”, shkroi Filipçe.

Organizatori i ngjarjes, sipas ministrit, është i obliguar të sigurojë praninë e obligueshme të shërbimit që kujdeset për rendin i cili do ta kontrollonte zbatimin e protokolleve dhe masat e dhëna, me të drejtë për ta larguar çdo vizitor i cili nuk i respekton të njëjtat.

“Kujdesi për shëndetin kolektiv është përgjegjësi e përbashkët, të cilin në këtë rast duhet ta bart organizatori i ngjarjes. Ju bëj thirrje autoriteteve kompetente menjëherë të reagojnë dhe në mënyrën e duhur t’i dënojnë përgjegjësit”, shkruan Filipçe në Fejsbuk.