Fillimi i një fundi politik i Ali Ahmetit?!

Koment: TetovaSot

Marketing

Një ditë më herët ai morri një çmim të madh nga Universiteti i Tetovës. Një të tillë që ai pa dyshim se e meriton plotësisht, por një ditë më pas lind një pyetje e madhe, mbase për herë të parë dhe që duket hipotetike në fakt. A është ndoshta ky fillimi i fundit politik i Ali Ahmetit?!

Rrugëtimi i tij politik është shquar me fitore serike si asnjëherë më parë. Ai nuk e njohu kurrë humbjen, por zbrazëtira që mund të lë ikja e tij nga politika do të jetë kaq e madhe sa do të ndez njëkohësisht shkëndija shprese për opozitën, që të paktën njëherë të vetme të mund të ngjitet në frontin e lavdisë politike mes gjithë atyre humbjeve të shumta, të përhershme.

A është ky fillimi i një fundi politik të Ali Ahmetit, është sa e largët po aq edhe e afërt, ndërlidhur me faktin se ata që e marrin një çmim kaq prestigjioz, ndodh shpesh në momentin kur personalitetet janë në fundin e karrierës së tyre politike. Këtë çmim në fakt Ali Ahmeti kishte mundur ta merrte që në 2004 -trën kur e zyrtarizoi këtë institucion të rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë dhe jo vetëm.

Por, derisa në këtë rrugëtim të gjatë dhe të vështirë mes fitoreve të parreshtura nën drejtimin e kreut integrist ishte uniteti që ai e mbajti në lavdinë politike, nuk është e rastit që tashmë në partinë e Ahmetit ka kaq shumë grindje. Ndoshta kjo sepse disa ka të ngjarë ta ndjejnë nuhatjen e një fundi politik të Ali Ahmetit për të qenë më pas pasuesit e tij. Kjo edhe për faktin se vetë kreu i BDI-së e ka thënë shpesh se do largohet pikërisht në momentin më të madh kur Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e NATO-s dhe e BE-së. Në NATO tashmë jemi ndërsa në BE jemi afër dhe kjo duket si një koicidencë por ndërlidhet me situatën e krijuar brenda kampit integrist.

Ali Ahmeti është sinonim i fitores pa pikë dyshimi, por ikja e mundshme e tij nga politika do krijojë një boshllëk të madh, mes atyre që duan të jenë pasuesit e tij, por do jetë edhe një shpresë e opozitës shqiptare që do shfrytëzojë këtë vakum politik. Me Ali Ahmetin kishte dicka të sigurtë në politikë dhe ajo ishte fitorja dhe uniteti partiak të cilin ai me mjeshtëri arriti ta mbajë të paprekur nga pretenduesit e ” fronit” që kanë filluar mbase parakohe ta ndjejnë një fund të mundshëm politik të njeriut që qëndroi kaq gjatë në pushtet si askush tjetër.