Qyteti i Shkupit sot zyrtarisht filloi me çmontimin e të parës nga tre anijet e vendosura në shtratin e lumit Vardar. Anija e vendosur pranë Hotelit Holiday Inn, u çmontua nga NP “Rrugët dhe Rrugicat”.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, tha se bëhet fjalë për çmontim të plotë, së pari heqjen e sendeve të luajtshme brenda dhe pastaj çmontimin e plotë të vetë anijes, procedurë kjo që sipas Shilegovit, pritet të zgjasë disa javë.
“Me këtë, ne fillojmë me një pastrim më të theksuar të projektit kriminel “Shkupi 2014”, sepse këto anije, jo vetëm që nuk janë të bukura nga pamja estetike, por paraqesin de facto dhe rrezik për qytetarët e Shkupit. Të gjitha analizat e bëra nga Qyteti dhe shërbimet profesionale të Qytetit nga njëra anë, por edhe studimi i UNDP-së, që thonë se anijet në shtratin e lumit Vardar, paraqesin një rrezik serioz të përmbytjeve të mundshme që mund të shkaktojnë dëme serioze materiale dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve të Shkupit”, tha Shilegov.
Lidhur me çmontimin e anijes së dytë, Shilegov tha se ekziston një vendim i kontestuar i Gjykatës së Apelit në Shkup, por siç tha ai, dëshiron të rifillojë procedurën.
“Unë pres që anija e dytë të shembet. Thashë që në një moment të caktuar nëse i heqim të gjitha duke zgjidhur kontratën, qytetarëve të Shkupit mund t’u kushtojë kjo procedurë gjashtë milion euro. Kjo mënyrë që kemi zgjedhur, mund të jetë pak më e gjatë, por definitivisht nuk shkon në dëm material në buxhetin e qytetit dhe nuk rëndohen tatimpaguesit në Shkup”, tha Shilegov.
I pyetur se ku do të shkojë kjo anije pasi të çmontohet, Shilegov tha se ajo nuk do të shkatërrohet, por do të shpërbëhet dhe pastaj do të ruhet në magazinat e Qytetit të Shkupit.