Fillon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Gjykatën Speciale fillon sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se kanë kryer krime lufte.

Marketing

Pas një procedure të gjatë paragjyqësore, për gati tri vjet, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të dalin para trupit gjykues.

Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022.

Ndërsa versioni i aktakuzës me më pak redaktime, e cila është në fuqi aktualisht, u dorëzua në shkurt të këtij viti.

Gjatë ditës se sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë i ka në dispozicion 5 orë.

Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave që do të bëjë deklaratën hyrëse, e cila pritet të zgjasë deri në 45 minuta.

Procesi do të vazhdojë me deklaratat hyrëse të ekipeve mbrojtëse.

Krejt këto pritet të përfundojnë të mërkurën, më 5 prill, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë me thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në ketë proces gjyqësor.

Kundër ish-krerëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë mbi 300 dëshmitarë të prokurorisë.

E për t’i përfunduar këta dëshmitarë ka dalë se nevojiten dy vjet kohë.

Ndërsa vetëm për të përmbyllur çështjen e prokurorisë është thënë se do të duhen deri në 5 vjet e gjysmë.

Kjo periudhë është konsideruar e gjatë nga ekipet mbrojtëse, ndërsa trupi gjykues i kishte kërkuar prokurorisë që të reduktojë këtë numër.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa në mbështetje të tyre, në prag të fillimit të gjykimit, në Prishtinë është mbajtur një marsh.

Ndërkaq sot në Hagë, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës do të mblidhen në një protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit si dhe luftën e UÇK-së.