Fillon zyrtarisht tërheqja e ushtarëve të SHBA-së dhe NATO-s nga Afganistani

Forcat e armatosura të SHBA-së dhe NATO-s të pozicionuara në Afganistan, kanë filluar të tërhiqen zyrtarisht që nga sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke filluar nga sot nga vendi do të largohen gradualisht rreth 7.000 pjesëtarë të personelit ushtarak të NATO-s dhe 2.500 deri në 3.000 ushtarë amerikanë të cilët parashikohet se ndodhen ende në Afganistan.

Presidenti amerikan Joe Biden më 15 prill deklaroi se më 1 maj do të fillojë procesi i tërheqjes dhe se të gjithë ushtarët do të tërhiqen përpara 11 shtatorit i cili është përvjetori i pushtimit të Afganistanit.

Marketing

Në një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes thuhet se procesi i tërheqjes ka filluar me mbylljen e bazave të vogla ushtarake në vitin e fundit dhe se përgatitjet janë përshpejtuar pas vendimit të Bidenit.

Deri më sot nga Afganistani janë larguar vetëm 60 ushtarë amerikanë.

SHBA-ja dhe aleatët e NATO-s pushtuan Afganistanin më 7 tetor 2001 me arsyetimin se fshihte dhe mbronte militantët e organizatës Al-Kaeda të cilën e shihnin si përgjegjëse të sulmeve të 11 shtatorit.

Sipas parashikimeve në kuadër të projektit “Kostot e Luftës” të përgatitur nga Universiteti Brown i SHBA-së, për luftën e cila ka vazhduar për 20 vite janë shpenzuar më shumë se 2 trilionë dollarë.

Në luftë kanë humbur jetën 2.442 ushtarë amerikanë ndërsa janë plagosur 20.666 të tjerë. Gjithashtu jetën e kanë humbur jetën edhe 1.144 pjesëtarë të personelit të NATO-s.



. .