Shkruan Fitim Salihu
Fitorja e Ali Ahmetit është demantim i skematikëve që krejt botën priren ta lexojnë me syze të Kosovës. Maqedonia, duke qenë shtet dyetnik, konfliktin etnik, i cili herë nxehet e herë ftohet, por gjithnjë është prezent, e ka çështje primare politike. Korrupsioni, keqqeverisja, zhvillimi ekonomik eklipsohen nga çështja etnike. Për rrjedhojë, pikërisht duke mbajtur bajrakun e pasardhëses së UÇK-së dhe promotores së çështjes shqiptare, BDI-ja sërish fiton bindshëm, për më tepër duke shënuar rritje prej 50-60% të numrit të deputetëve.
Ziadin Sela nuk është rrahur më 2017 se ishte i majtë ose i djathtë, por se ishte shqiptar. Talat Xhaferi nuk kundërshtohej të zgjidhej kryeparlamentar për qëndrimet e tij ndaj privatizimit ose pensioneve, por se ishte shqiptar dhe ish-komandant i UÇK-së. Ultrasit e dy etnive nuk këndojnë në kor këngë kundër elitës së korruptuar ose kundër oligarkëve, por kundër etnisë rivale. Incidentet e të kaluarës së afërt – protestat tek Kalaja e Shkupit, kryqi i Butelit, shqiponja e Çairit, incidentet ndëretnike me rrahje të të rinjve, etj. – krejt e kanë motivin etnik. Prandaj, keqleximi i situatës së atjeshme me thjerrëza të Kosovës dhe Shqipërisë nxjerr konkluzione qesharake.
Lajmi më i mirë nga këto zgjedhje duket se do të jetë një numër rekord i deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë, mbi 30 syresh, siç nuk kish ndodhur asnjëherë që prej zgjedhjeve të para pluraliste të nëntorit 1990.