Fitime marramendëse për Manchester Cityn nëse e fiton tripletën

Manchester City, drejt përjetësimit në librat e artë të futbollit anglez. Makineria e Pep Guardiolës ka superuar çdo pritshmëri dhe po vijon e paepur drejt objektivit të tripletës.

Marketing

Forma e shkëlqyer në kampionat është shoqëruar dhe në FA Cup, por edhe në Champions League. Faktikisht, ekipet elitare e bëjnë diferencën në fazat më vendimtare dhe kështu po ndodh dhe me Cityzens.

Pas një periudhe jo të mirë në Premier League në Janar dhe pas shkëputjes së Arsenalit në krye të renditjes, shumëkush nxitoi të thonte që skuadra e Guardiolës nuk funksionon. Por, tekniku spanjoll iu kthye dhe njëherë tjetër ‘makinerisë’ së tij. E modifikoi atë, dhe e pajisi me elementë që tanimë po e çojnë të sigurt deri në fund të rrugëtimit.

Si aktivizimi i tre qendërmbrojtësve, spostimi i John Stones në mesfushë. Jack Grealish që po rezulton vendimtar në këtë fazë të fundit të sezonit. Kevin de Bruyne që vijon të performojë në maksimumin e tij dhe Erling Haaland që po vendos rekord pas rekordi. Një edicion në kufijtë e të çmendurës, me statistika dhe rekorde të frikshme.

Që tanimë cënojnë dhe pozitën e Manchester United, si skuadra e vetme angleze që ka fituar tripletën. Tripleta e United në 1999, mbetet etaloni më i madh i suksesit për klubet e angleze. Dhe deri më sot asnjë skuadër në ishull nuk ka pasur një arritje më të lartë. Megjithatë, Pep Guardiola dhe të besuarit e tij kërcënojnë ndjeshëm arritjen e rivalëve të tyre më të mëdhenj.

1 pikë mbi Arsenalin në renditje dhe një ndeshje më shumë për të zhvilluar në Premier League. Një rezultat mjaft pozitiv në Spanjë për të pasur në dorë kualifikimin në Etihad ndaj Real Madridit në Champions. Dhe më pas për të zhvilluar dhe një finale të zjarrtë ndaj armiqve të përbetuar: ndaj Manchester United në FA Cup.

Një sezon deri më tani i jashtëzakonshëm, por gjykimi final do të bëhet vetëm pasi Manchester City të kalojë këto sprova të rrezikshme. Nëse i kalon me sukses do të përjetësohet vërtetë si një nga skuadrat më të mira që ka parë futbolli në Britani, por jo vetëm kaq. Pasi në rast se realizojnë objektivin e madh kanë të garantuar dhe 300 milionë paundë.

Marketing