Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti sot me rastin e Ditës botërore të mjedisit – 5 Qershorit dhe 19 vjetorin e themelimit të partisë si dhe shpalosjes së platformës së re,
ka organizuar një eveniment bashkë me rininë gjatë të cilës në fjalimin
e tij ka zbuluar dhe ka bërë të ditur për opinionin hapat e ri të
BDI-së.
Në vazhdim ju sjellim fjalimin e plotë të kryetarit të BDI-së, z. Ali
Ahmeti:
Të nderuar qytetarë, e dashura rini
Sot është 5 qershori, dita e themelimit të Bashkimit Demokratik për
Integrim, 19 vite më parë, por njëkohësisht edhe dita botërore e
mjedisit.
Organizata jonë politike, më e suksesshmja në historinë e këtij vendi,
lindi si nevojë e kohës, si forcë e obliguar nga qytetarët që të sjell
barazi nëpërmjet të zbatimit të plotë të Marrëveshjes paqësore të Ohrit,
legalizimit të arsimit sipëror në gjuhën shqipe, decentralizimit,
simbolet dhe kulturën kombëtare, gjuhën shqipe, përfaqësimin e drejtë
dhe adekuat, integrimin në NATO, marrjen e dritës së gjelbër për
anëtarësim në Bashkimin Europian, bashkë me shumë prioritete tjera të
qytetarëve tanë.
Me kohë, këto kërkesa dhe nevoja të qytetarëve u plotësuan me shumë të
tjera, ashtu siç zhvillohej shoqëria, rriteshin dhe nevojat e
qytetarëve, prandaj dhe BDI u përshtat me kohën dhe mbeti adresa e
pranimit të kërkesave të qytetarëve dhe realizimit të tyre në përpikëri.
U ndërtuan shkolla, spitale, çerdhe, rrugë, infrastrukturë, teatro, u
themeluan institucione të reja, u bëmë të zot të vetvetes dhe të
dobishëm për vendin.
Sot jemi në rrethana të cilat dukeshin të pamundura një dekadë më parë,
rrethana ku shqiptarët kryesojnë kuvendin, drejtojnë edhe qeverinë,
diplomacinë, financat, policinë e ushtrinë, gjyqësorin bashkë me
institucione tjera të rëndësishme dhe këtë e bëjnë në formën më
dinjitoze të mundshme.
Prandaj, pas miratimit të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe
zbatimit të përditshëm të saj, reformave thelbësore, anëtarësimit në
NATO dhe vulosjes së të ardhmes Europiane, ka ardhur koha që Bashkimi
Demokratik për Integrim të fokusohet tërësisht në cilësinë e të
jetuarit, e kushteve të jetës së përditshme, zhvillimin, arsim dhe
shëndetësi cilësore, drejtësinë joselektive, dixhitalizimin, politikat
sociale, infrastrukturën, ekonominë dhe mjedisin jetësor.
Një vajze e re, Greta Tunberg, përshkoi botën me alarmin për ndryshimet
klimatike e politikën ambientaliste dhe të gjithë ia hapën derën. Erdhi
koha që edhe ne ta hapim derën hapë krah dhe të përqafojmë këto politika
për një të ardhme të gjelbër, të sigurt, të zhvilluar dhe të shëndosh.
Këtë e kërkoni ju, rinia. Rinia zëshëm kërkon kushte jete si
bashkëmoshatarët e vet në perëndim, vende pune, ambient jete modern me
ajër të pastër, ujëra të pastër, male dhe fusha të gjelbërta, rrugë e
hekurudhë moderne, energji të gjelbër, shkolla, çerdhe dhe spitale me
efikasitet energjetik, të sigurta dhe bashkëkohore.
Ju shoh para meje, të gjithë të ri e të reja. Në rininë time, lumenjtë
ishin aq të pastër sa që ne e pinim atë ujë të rrjedhshëm.
Sot ato lumenj janë aq të ndotur sa që paraqesin rrezik për shëndetin
dhe mjedisin. Sot shoh malet e shkretuara, deponi të egra në çdo
vendbanim dhe jo gjithmonë për faj të institucioneve, por edhe për fajin
tonë.
Të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për vendin ku jetojmë, të gjithë
thithim të njëjtin ajër, të gjithë pimë të njëjtin ujë, të gjithëve na
ngroh i njëjti diell, që të gjithë ushqehemi nga kjo tokë.
Të dashur miq, e dashura rini, ndryshimet klimatike janë kërcënim
ekzistencial për mjedisin, për shëndetin dhe për ekonominë.
Prandaj ne sot, mu në ditëlindjen e 19-të të Bashkimit Demokratik për
Integrim, në përputhje me Rezolutat e miratuara në Kongresin tonë të
fundit, po nisim një politikë të re, një mënyrë të re të të bërit
politikë dhe të vepruarit të drejtpërdrejt, përtej të drejtave etnike,
zhvillimit dhe synimeve integruese, politikë për drejtësi mjedisore, për
jetë cilësore.
Sot, Bashkimi Demokratik për Integrim në tërësi e përqafon agjendën e
gjelbër si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane dhe e shton atë në
krah të shtyllave tona programore si prioritet.
Agjenda e gjelbër të dashur miq nënkupton jetë cilësore, vende pune dhe
zhvillim, në veçanti në periudhën pas pandemisë dhe ndikimit negativ të
saj mbi ekonominë, vendet e punës, shëndetin dhe jetën në përgjithësi.
Paratë e dedikuara në agjendën e gjelbër janë investim sepse mjedisi dhe
ekonomia janë të ndërlidhura, janë investim mbi shëndetin publik, në
mbrojtjen e ambientit, në çasjen në ujë dhe ajër të pastër, në pastrim
të deponive, në reduktimin e emetimeve të gazrave, rrugë dhe hekurudhë
cilësore, gazifikim dhe energji të gjelbër, ndikon edhe në cilësinë dhe
rrjedhimisht edhe në kohëzgjatjen e jetës tonë, në shëndetin mendor, në
parandalimin e katastrofave që do të kushtojnë shumë më tepër, shpesh
edhe me jetë.
Sot, cenimi i agjendës së gjelbër dhe ndotja e mjedisit jetësor është
kërcënim ndaj sigurisë, siç është edhe korrupsioni dhe krimi i
organizuar, prandaj dhe qeveria, komunat dhe të gjitha institucionet
tona duhet të bashkëngjiten dhe ne do të angazhohemi për këtë, të bëhemi
lider rajonal dhe europian në politikat e agjendës së gjelbër.
Prandaj të dashur miq, mirëserdhët tek BDI-ja e zhvillimit dhe e vendeve
të punës nëpërmjet të agjendës së gjelbër, BDI e cila, përveç se për
barazinë, zhvillimin si dhe frymën euroatlantike, kujdeset edhe për
ajrin, për ujin, për tokën, për mjedisin e përbashkët si parakushte për
zhvillim dhe jetë cilësore.
Ju që jeni këtu, anëtarët tanë, votuesit tanë, por jo vetëm, gati se
edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë e njohin konsistencën tonë,
qëndrueshmërinë e politikave tona dhe që të gjithë e dinë që atë që e
themi edhe e realizojmë.
Për 19 vite jemi shtyllë e stabilitetit, paqes, sigurisë, barazisë dhe
vazhdimësisë dhe realizimit të ëndrrës euroatlantike. Nuk u lëkundëm nga
qëllimet tona asnjëherë dhe për asnjë çmim.
Sot e tutje, të bëhemi edhe shtyllë e jetës së përbashkët dhe cilësore,
ashtu siç i vëmë drynin Jugohromit si ndotës më i madh i Pollogut, a po
siç e shndërruam Malin Sharr në park kombëtar.
Një jetë e një diell, një ajër e një ujë, një tokë e një planet i ndajmë
bashkërisht.
Të kujdesemi për to pa dallime etnike, pa dallime fetare, pa dallime
partiake, kulturore, arsimore, sociale e te çfarëdo qoftë lloji tjetër.
Prandaj, që sot ju paralajmëroj që përveç se në nivelin qendror, agjenda
e gjelbër do të jetë kryefjalë edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale edhe
atë me kontributin e njohësve më të mirë të fushës.
Apeloj deri tek shoqëria civile dhe grupet e interesit që t’i
bashkëngjiten agjendës tonë të gjelbër me idetë dhe përvojat e tyre të
cilat do të përqafohen nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim.
E gjithë kjo për arsye se edhe ne, edhe pasardhësit tanë, kemi vetëm një
jetë, ta jetojmë dhe t’ua lëmë fëmijëve tanë në trashëgimi këtë planet
me mundësi të pafund për zhvillim të mëtejmë sepse ne, nuk kemi të
drejtë t’ua shkatërrojmë të ardhmen brezave pas nesh.
Gëzuar dhe na priftë e mbara.