Flamuri i Kosovës acaron përfaqësuesin e Rusisë në OKB, ndërpritet mbledhja e Këshillit të Sigurimit

Flamuri i Kosovës është bërë shkaktar i ndërprerjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Marketing

Përfaqësuesi i Rusisë, Dimitri Poljanski, kërkoi nga udhëheqësi i seancës që përfaqësuesja e Kosovës, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla të heqë flamurin e Kosovës që ndodhej pas saj.

“Ne nuk jemi kundër ndaj përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet i pavarur, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë ambientin, ose të heq flamurin”, tha përfaqësuesi rus.

Ndaj kërkesës së Rusisë, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe duke thënë se nuk shohin arsye që kryediplomatja nga Kosova të ndryshojë pamjen.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjen pas saj për të vijuar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka pezulluar mbledhjen e hapur virtuale për Kosovën për të vazhduar konsultimet në një mbledhje të mbyllur pas kërkesës së Rusisë.

Ndërkohë pas një ndërprerje të takimit online, Këshilli i Sigurimit vendosi që të vazhdojë punimet e seancës virtuale për Kosovën përkundër kërkesës së Rusisë që Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës nga prapavija.

Marketing