Qendra për Punë Sociale në Shkup ka pranuar donacion një furgon me vlerë prej mbi 1 milion denarë si dhe pako për vitin e ri, për fëmijët me paralizë cerebrale nga Fondacioni “Albiz” me kompanitë në bashkëpunim. Të pranishmit thanë se ky donacion fëmijëve të kësaj kategorie do t’ua lehtësojë jetën.
“Tani furgoni është në emër të qendrës sociale dhe shfrytëzohet për fëmijët me paralizë cerebrale gjë që do të mundëson që ata transportin ta kenë më të rehatshëm, por edhe nuk do të vonohen në trajnime dhe tretmane të cilët i marrin çdo ditë që do të na ndihmojë edhe neve si staf që trajnimet t’i kemi më efikase dhe më efektive.”, – deklaroi drejtori i qendrës sociale në Shkup, Liridon Musliji.
“Ky donacion na gëzon pa masë sepse bëhet fjalë për një kategori të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe ne si fondacion kemi një program të veçantë, kujdes të veçantë për këtë kategori të fëmijëve.”, – theksoi drejtori ekzekutiv i fondacionit “ALBIZ”, Besir Dërnjani.
“Kemi pasur nevojë viteve të fundit për furgon të ri që do t’i përmbush nevojat që të mundemi çdo ditë t’i marrim shfrytëzuesit tanë që të vijnë në qendrën ditore ku dhe marrin trajnime, aktivitete për socializim dhe ushqim. Falënderojmë fondacionin “ALBIZ” për këtë donacion të rëndësishëm.”, – u shpreh koordinatori i qendrës ditore për personat me paralizë cerebrale, Vllatko Peçevski.
Nga Fondacioni “Albiz” thonë se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të kontribuojnë për kategoritë me nevoja të vecanta, e sidomos për fëmijët pjesën më të ndjeshme të shoqërisë.