Një zjarr ka shpërthyer në një nga spitalet e vetme funksionale të Gazës veriore, ndërsa mjekët dhe pacientët janë detyruar të largohen pasi forcat izraelite bastisën spitalin të premten në mëngjes, sipas anëtarëve të stafit.
Spitali Kamal Adwan dhe zona përreth kanë qenë nën sulme të vazhdueshme këtë javë, sipas drejtorit të spitalit, Dr Hussam Abu Safiya, i cili tha se pesë personel mjekësor u vranë në një sulm të enjten.
Abu Safiya tha se ishte kërcënuar me arrestim nga forcat izraelite, të cilët urdhëruan stafin të largohej dhe pacientët të transferoheshin në spitalin indonezian, duke përfshirë ata në gjendje kritike.
“Ushtria pushtuese po djeg të gjitha repartet operative në spital, ndërsa ne jemi ende atje. Ushtria evakuoi të gjithë personelin mjekësor dhe personat e zhvendosur dhe arrestoi një numër të personelit mjekësor” tha Abu Safiya në Instagram.
Ai shtoi se pjesa më e madhe e ndërtesës dhe pajisjeve të spitalit ishte dëmtuar.
“Aktualisht nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne, pacientët janë duke u evakuuar me forcë në spitalin indonezian. Ata ua prenë oksigjenin, ka pacientë që mund të vdesin në çdo moment, “tha një anëtar i stafit mjekësor në një mesazh zanor të shpërndarë nga Abu Safiya.
Pamjet treguan një grup burrash me të brendshme duke ecur pranë trupave izraelite.
Spitali Kamal Adwan ka punuar nën rrethim që nga tetori, kur forcat izraelite filluan një operacion të tretë ushtarak në kampin e refugjatëve Jabaliya që përfshinte prishjen masive të ndërtesave dhe infrastrukturës.
Ushtria izraelite, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, tha se po shqyrton pretendimin se pesë persona të personelit mjekësor u vranë, por tha se kundërshtonte numrin e viktimave të raportuara në zonë