Franca lehtëson kufizimet për mbrojtje nga Covid-19

Edhe pse vijon të shënojë shifra rekord infektimesh me koronavirus, Franca do të heqë disa prej kufizimeve për frenimin e pandemisë.

Marketing

Kryeministri Jean Castex foli për përmirësim të situatës së përgjithshme pandemike dhe njoftoi se në fillim të muajit shkurt do të lehtësohen rregullat e punës nga shtëpia, ndërsa 2 javë më vonë do të lejohet rihapja e klubeve të natës.

Nga dy shkurti do të hiqen gjithashtu kufizimet ndaj numrit të personave që lejohen të hyjnë në stadium dhe ambjente argëtimi dhe maskat nuk do të jenë më të detyrueshme në ambientet e jashtme.

“Kjo valë e jashtëzakonshme nuk ka përfunduar ende. Por mendoj se situata ka nisur të përmirësohet, çka na lejon të konsiderojmë heqjen e kufizimeve nga fillimi i muajit shkurt”, u shpreh kryeministri Castex.

Megjithatë certifikata e vaksinimit do të hyjë në fuqi sipas planit më 24 janar dhe do të kërkohet në vende si restorantet, baret, kinematë apo mjete të transportit publik.

Kryeministri tha se certifikata që kufizon aktivitetet sociale të të pavaksinuarve, mund të shfuqizohet më vonë pas rënies së konsiderueshme të infektimeve. Franca raportoi një numër rekord prej 425 mijë infektimesh të enjten, e megjithatë numri i pacientëve në terapitë intensive ka rënë.

Më herët Britania e Madhe njoftoi heqjen e kufizimeve javën e ardhshme, ndërsa vala Omicron duket ta ketë kaluar pikun.

Ndryshon qasja në Austri, i pari vend në Europë që do ta bëjë vaksinimin të detyrueshëm. Vendimi u miratua të enjten në parlament dhe hyn në fuqi më 1 shkurt. Gjermania, Polonia dhe Rusia, shënuan rekord infektimesh gjatë 24 orëve të fundit.

Marketing