Ganiu: 6 milionë denarë në vit për nxënësit e komunave tjera që mësojnë në shkollat e Çairit

Duke u nisur nga fakti se edhe pse Komuna e Çairit nuk ka për obligim ligjor që të sigurojë arsimimin e nxënësve që nuk kanë shkolla në gjuhën amtare në vendbanimet e tyre, prapë se prapë si obligim moral asnjë fëmijë vite me radhë nuk e kemi lënë pa shkollim. Kësisoj afër 500 nxënës të shumë komunave të tjera po mësojnë në shkollat tona dhe transportin e të gjithë këtyre fëmijëve e paguajmë ne si Komunë e Çairit me mjete vetanake financiare.

Marketing

Mbi 6 milionë denarë brenda një viti ne paguajmë për shkollimin e këtyre nxënësve, gjegjësisht për transportin e tyre.

Për këtë situatë janë të informuara me kohë të gjitha institucionet shtetërore përkatëse dhe kemi kërkuar rritje të bllok dotacioneve, por përgjigje deri më tani nuk kemi.

Dhe duke qenë nën presion të krizës aktuale ekonomike, konkretisht energjetike, ne si Komunë e Çairit nuk jemi më në gjendje të sigurojmë mbulimin financiar të transportit të këtyre nxënësve, sepse pikërisht këto 6 milionë denarë për çdo vit që paguajmë kanë thelluar situatën me borxhet që kemi ndaj operatorëve të tjerë.

Javën e fundit kemi presion të vazhdueshëm nga Ndërmarrja Publike e Transportit dhe që është me të drejtë, të cilët kërkojnë nga ne pagesën e transportit të fëmijëve nga Lagja Vizbeg, e Komunës së Butelit me të cilën komunë një vit më parë kemi nënshkruar marrëveshje që e publikuam në të gjitha mediumet dhe ishte hera e parë bashkërisht t’i ndajmë shpenzimet e transportit për ata nxënës.

Por, Komuna e Butelit kësaj marrëveshje nuk ju përmbajt dhe nuk ka kryer asnjë pagesë ndaj ndërmarrjes në fjalë.

Andaj, si rezultat i lutjeve të vazhdueshme nga ana jonë ndaj Ndërmarrjes Publike të Transportit ata nuk e kanë ndaluar transportin, por kulmi ka arritur kështu që nga dita e hënë nxënësit e Lagjes së Vizbegut që mësojnë në shkollat e Çairit nuk do të kenë më transport nga ana Ndërmarrjes Publike të Transportit.

Së paku kërkoj një falënderim nga institucionet përgjegjëse shtetërore për këtë mbështetje të vazhdueshme që ua kemi dhënë ne ndër vite nxënësve bashkë me procesin e arsimimit të tyre. Këta nxënës do të vazhdojnë mësimin nëpër shkollat e Komunës së Çairit sikurse deri tani me të gjitha kushtet e barabarta me nxënësit e tjerë.