Ballina Lajme Maqedoni Ganiu: Për jetesë normale Çairi vetëm me ndërtesa, jo me shtëpi!

Ganiu: Për jetesë normale Çairi vetëm me ndërtesa, jo me shtëpi!

Në vend të shtëpive individuale, në Komunën e Çairit të ketë vetëm ndërtesa kolektive, parasheh plani gjeneral i kësaj komune. Me këtë do të mundësohet që të ketë më shumë parqe dhe gjelbërimë, ndërsa rrugët e Çairit do të jenë më të gjëra dhe lehtë të kalueshme. Kështu deklaroi në Click plus në TV21, kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Marketing

“I gjithë territori i Çairit është i paraparë me ndërtesa kolektive. Pra në mënyrë që ta kuptojmë, ne kërkojmë tash sikur jetojnë në shtëpia, sikur në Serovë, Gazi Babë dhe lagja e Dizhonit, d.m.th. në vend se të jetojmë në mënyrë horizontale, ne të jetojmë në mënyrë vertikale, por për rreth në të ndërtojmë parqe, parkingje. Në këtë formë se si ne jetojmë ne ato lagje janë me kushte substandarde, ne duam t’i urbanizojmë ato lagje, të bëjmë kushte standarde”, deklaroi Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.

Për shkak se plani gjeneral e sheh Çairin me ndërtesa kolektive, Ganiu shpjegoi se po punojnë në procesin e legalizimit të ndërtesave. Megjithatë siguroi se nuk ka ndodhur të uzurpohet asnjë park nga ndërtimet pa leje, nuk është zgjeruar asnjë ballkon i ndërtesave.

“Qëllimi ynë është që ata njerëz të pajisen me dokumente dhe jo rastësisht komuna e Çairit është shumë përpara të gjitha komunave tjera me procesin e legalizimit, përqindja është e lartë për shkak se ne kemi dashur që bashkëqytetarët tanë sa më shpejtë të vijnë deri te pronësia e tyre”, tha Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.

Për trafikun e rënduar në rrugën “Cvetan Dimov” dhe projektin për zgjerim është paraparë projekt i cili peshon mbi 10 milion euro. Projekti parasheh prishjen e lokaleve aty afër dhe shpronësimin e tyre. Mjetet do të ndahen nga komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit, nëse do të ketë nevojë do të kërkohen mjete edhe nga Qeveria, përfundoi Ganiu.

“Ka ligj, aty ku është interes shtetëror siç janë rrugët, bulevardet dhe kështu me radhë ka ligj të posaçëm dhe në bazë të atij ligji ne do të funksionojmë… Çdo objekt që e kap trajektorja, që duhet të largohet ai objekt do të shpërblehet dhe shumë pronarë e dinë që në bazë të planit gjeneral dhe detal se prej ku deri ku ajo rrugë duhet të zgjerohet, por e mira e kësaj është që dëmshpërblimi do të jetë korrekt dhe konform asaj vlerë që e ka ai objekt”, pohoi Visar Ganiu, kryetar i komunës së Çairit.

Sa i përket premtimeve për parkingje, Ganiu tha se zgjidhja për problemin e parkingjeve në Çair ka ngecur pas bllokimit të Ligjit për Investime Strategjike në Kuvend.

Exit mobile version