Gati të gjithë ish-krerët e MPB-së kanë përfunduar në burgun e Shutkës

Sasho Mijallkov, Mitko Çavkov, Gjoko Popovski, Vlladimir Hristovski, Toni Jakimovski janë ish-drejtuesit e lartë të organeve më të larta të sigurisë në Maqedoninë e Veriut që tashmë kanë përfunduar në paraburgim në burgun e Shutkës në SHkup, informon INA.

Marketing

Ish-shefi i shërbimit sekret DSK, Sasho Mijallkov, ish-pasardhësi i tij gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE, Vlladimir Hristovski dhe Toni Jakimovski, shefi i kabinetit të Mijallkovit janë në paraburgim për rastet që kanë të bëjnë me përgjimet. Në burg tashmë është Gjoko Popovski, ish-ndihmës ministri i brendshëm që u dënua me mbi 4 vite burg, për rastin e Benzit. Bashkë me të është i dënuar edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, por edhe ish-ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, njëri tashmë në arrati dhe tjetra nën masa të mbikqyrjes, për shkak të pritjes së vendimit të Apelit.

Ish-ministri i brendshëm dhe ish-drejtori i policisë, Mitko Çavkov akuzohet për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të 2017 në Kuvend.
Përpos tyre, ish-kokat e tjera të MPB-së janë në arrati dhe se bëhet fjalë për Goran Grujevskin, që është një nga udhëheqësit e kryerjes së përgjimeve dhe më pas asgjësimin e pajisjeve të përgjimeve, por edhe Nikolla Boshkovski, po ashtu zyrtar i lartë në MPB dhe i përfshirë në veprime të paligjshme dhe kriminale gjatë pushtetit të VMRO-DPMNE. Në rrjetin e të akuzuarve dhe dyshuarve janë edhe zyrtarë të tjerë të MPB-së, të cilët përmenden në disa nga rastet e hetuara të Prokurorisë Speciale. (INA)

Marketing