Geer: Identiteti, jo pjesë e negociatave

Çështjet e identitetit nuk janë pjesë e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha ambasadori evropian David Geer, në një intervistë për “Alsat.

Marketing

I pyetur për ndryshimet kushtetuese dhe shpalljen e referendumit, Geer u përgjigj se nëse zgjedhja strategjike është e qartë, pra anëtarësimi në BE, atëherë rruga e planifikuar nuk duhet të ndërlikohet.

Ambasadori i BE-së thotë se do të ketë skrining që do t’i analizojë sfidat, ndërsa qytetarët do të përfitojnë nga procesi. Intervistën e plotë me ambasadorin Geer do të mund ta ndiqni në edicionin e nesër të lajmeve.

“Do të doja që ta shikonim këtë sikur të ishim familje dhe të themi se vëllai ose motra juaj po martohet. Pra, do të kemi një anëtar të ri në familje dhe befas interesimi juaj për atë person rritet. Ju tashmë e njihni atë dhe keni marrëdhënie të mirë, por do të jeni më të interesuar – kush janë ata, çfarë do të sjellin, cilat janë vlerat e tyre, cili është vizioni i tyre dhe si do të përshtaten në familje. Nëse ky është një synim strategjik i vendit dhe i takon vetë vendit të vendosë, atëherë duhet të pyesim se cila është mënyra më e mirë për ta arritur këtë.

Kjo marrëveshje mundësoi hapjen e negociatave, skriningu tashmë ka filluar dhe ai proces do të vazhdojë. Po, vërtet do të na duhet ndryshimi i Kushtetutës, është vendim sovran, por dosja e vendit me marrëdhëniet ndëretnike tashmë është e mirë dhe kjo do të forcohet në të ardhmen… Por, pyetja e madhe është për zgjedhjen strategjike.

Nëse zgjedhja strategjike është për Bashkimin Evropian, atëherë duhet të pyesim pse ta ndërlikojmë më tej këtë rrugë që tashmë është hapur qartë”, deklaroi David Geer, ambasador i BE-së në Shkup./Alsat/