Gjermania i nis kontrollet kufitare, i zemëron fqinjët

Gjermania i ka filluar kontrollet e reja në të gjitha pikat kufitare tokësore si pjesë e shtypjes së imigrimit të parregullt, duke vendosur kufizime në një zonë të gjerë të lëvizjes së lirë që njihet si Zona Schengen dhe duke nxitur zemërim në mesin e fqinjëve evropianë.

Marketing

Nga e hëna, përpos kontrolleve ekzistuese kufitare në kufijtë me Austrinë, Zvicrën, Republikën Çeke dhe Poloninë, Gjermania do të ketë edhe kontrolle të brendshme kufitare me Luksemburgun, Francën, Holandën, Belgjikën dhe Danimarkën, raporton televizioni CNN.

Berlini do ta ketë autoritetin për të refuzuar njerëz në të gjithë kufijtë tokësorë, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme. Rregullat e reja do të vlejnë fillimisht për gjashtë muaj.

Kjo lëvizje tregon se sa shumë e ka ndryshuar politikën Gjermania viteve të fundit rreth çështjes së ndjeshme të imigrantëve.

Qeveria gjermane nën kancelaren e atëhershme, Angela Merkel, kishte mirëpritur më shumë se një milion njerëz gjatë krizës së imigrantëve në periudhën 2015 – 2016, por tani po e ndjek shembullin e vendeve të tjera evropiane për ashpërsimin e rregullave, kur po ballafaqohet me opozitën e së djathtës ekstreme në rritje.

Të premten, Gjermania arriti një marrëveshje me Kenian për kontrollimin e migracionit. Sipas këtij pakti, Gjermania do t’ua hapë dyert punëtorëve të kualifikuar dhe të gjysmëkualifikuar nga shteti i largët afrikan.