Gjuha shqipe në Maqedoni meriton më shumë hapësirë

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u mbajt një panel shkencor në temën “Gjuha shqipe në Maqedoni – histori dhe perspektiva”, që kishte për shqyrtim përdorimin publik të gjuhës shqipe në Maqedoni, politikat gjuhësore, si dhe drejtpërdorimin e saj.

Marketing

Në fillim fjalë rasti pati drejtori i Institutit, Skender Asani, i cili theksoi se “Gjuha shqipe nuk e rrezikon gjuhën maqedonase, por ajo është mënyrë e mirë për komunikim e bashkëpunim, kjo në frymë të integrimit evropian”. Ai theksoi se në këtë panel janë ftuar edhe kolegë maqedonas, por që për arsye të paqarta, ata nuk ishin të pranishëm në këtë panel.

Pastaj vijoi pjesa e kumtesave, ku në fillim foli studiuesi Qemal Murati në temën “Maqedonia në gjuhë – identitete linguistike dhe të drejtat gjuhësore”, duke theksuar se gjuhët janë mjete që të bëhen ura e jo mure.
Profesori dhe ambasadori Jordan Plevnesh, referoi në temën “Shqipja, greqishtja dhe maqedonishtja në festivalin ‘Aktori i Europës’ në Prespë”, duke lënë mbresa të veçanta humanizmi për kulturën e përbashkët ballkanike.
Profesori Avzi Mustafa, përmes metodës së hulumtimit në terren, foli në temën Toleranca gjuhësore ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve.

Prof. Valbona Toska nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup bëri një retrospektivë të politikave gjuhësore në Maqedoni, duke folur në temën “Politikat gjuhësore ndaj gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”.
Prof. Asllan Hamiti foli në temën “Përdorimi dhe mbrojtja e shqipes standarde në Maqedoni”, ndërsa prof. Ismet Osmani, duke qëndruar në këtë rrafsh, referoi në temën “Shqipja standarde dhe realiteti gjuhësor në Maqedoni”.
Nga Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Nëna Terezë” në Shkup, me temë të përbashkët u paraqitën studiuesit Mustafa Ibrahimi dhe Berton Sulejmani, që folën për “Gjendjen e sotme të përdorimit të toponimeve dhe mbishkrimeve shqipe në Maqedoni”.

Prof. Ajten Hajdari-Qamili foli për “Përmirësimin e cilësisë së shqipes standarde në institucionet e Maqedonisë”, ndërsa studiuesja e ITSHKSH-së, Hidajete Azizi, foli për “Emrat personalë ndërmjet identitetit dhe administratës shtetërore”.

Profesori i shkencave të komunikimit, Sefer Tahiri, referoi në temën “Diskursi mediatik dhe politik ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni”, ndërsa i fundit ishte gjuhëtari i punësuar në ITSHKSH, Zeqirija Ibrahimi, që foli për “Politikat gjuhësore të Maqedonisë kundrejt politikave gjuhësore të vendeve fqinje dhe vendeve të BE-së”.
Konstatimi i përgjithshëm ishte se paneli shkencor përcolli mesazhin se gjuha shqipe në Maqedoni ka nevojë për më shumë hapësirë në përdorimin zyrtar, ndërsa të gjithë studiuesit ishin të pajtimit se shqipja le që nuk e rrezikon maqedonishten, por ajo bile e ndihmon kohezionin e brendshëm në Maqedoni. /www.itsh.edu.mk/

Marketing