Gjyqi më i madh mafioz në dekada, Italia dënon 70 anëtarë të “Ndrangheta”

Një gjykatë italiane ka dënuar 70 anëtarë të grupit të fuqishëm mafioz, Ndrangheta, në fazën e parë të gjyqit më të madh mafioz në dekada. Të pandehurit u përballën me akuza duke përfshirë tentativë vrasje dhe zhvatje.

Marketing

Gjatë dy viteve të ardhshme, 355 mafiozë të dyshuar dhe zyrtarë të korruptuar do të përballen me gjykatën për përfshirjen e tyre me grupin më të pasur dhe më të fuqishëm të krimit të organizuar në Itali. Qindra avokatë dhe gati një mijë dëshmitarë janë të përfshirë.

Gjyqet e së shtunës u zhvilluan me dyer të mbyllura në një sallë gjyqi të rindërtuar posaçërisht në qytetin kalabrez të Lamezia Terme. Të akuzuarit kishin zgjedhur procedurë të shpejtuar që u lejoi atyre t’u zvogëloheshin dënimet me një të tretën nëse shpalleshin fajtorë. Gjyqtarët i dhanë gjashtë prej të dënuarve dënimin maksimal prej 20 vjetësh që prokurorët kishin kërkuar.

21 të pandehur të tjerë u shpallën të pafajshëm.

‘Ndrangheta është një rrjet i përhapur kriminal i përbërë nga rreth 150 familje. K gjyq targeton vetëm një prej tyre: familjen Mancuso.

Fleta e gjatë e akuzave përfshin një sërë akuzash për drogë, vrasje, tentativë vrasjeje, zhvatje, marrje kredie, zbulim të sekreteve zyrtare dhe shpërdorim detyre. Bosi i supozuar Luigi Mancuso, 67 vjeç, i cili njihet me pseudonimin “Xhaxhai” dhe ish-senatori Giancarlo Pittelli, 68 vjeç, për të cilin prokurorët kanë pretenduar se ishte ndërmjetësi i tij i jakave të bardha, do të përballen me seanca më të gjata gjyqësore në një datë të mëvonshme.

Drejtues i çështjes është Nicola Gratteri (në foto), një nga kryeprokurorët më të respektuar antimafia të Italisë. Ai ka shpenzuar dekada duke luftuar bandat e krimit italian dhe si pasojë ka jetuar nën mbrojtjen e policisë për më shumë se 30 vjet.

Gratteri u zotua në fillim të këtij viti për ta larguar “këtë ‘Ndrangheta asfiksuese, e cila me të vërtetë u merr frymën dhe rrahjet e zemrës njerëzve” dhe u tha gazetarëve se gjyqi i së shtunës kishte “shkuar shumë mirë”.

‘Ndrangheta’ u bë e njohur pas gjyqeve të fundit të viteve 1980, të cilat dobësuan ndjeshëm familjet mafioze të Cosa Nostra të Siçilisë.

Ndrangheta është e përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, por është e specializuar në trafikun e kokainës dhe besohet se kontrollon rreth 80% të tregtisë së Evropës./