Golashënuesi i Milanit zbulon përshtypjet e tij për Kosovën

Anësori italian i Milanit, Fabio Borini, ka thënë se i ka pëlqyer Kosova shumë dhe është shprehur i lumtur që kuqezinjtë kanë tifozë kaq të zjarrtë edhe në vendet jashtë Italisë.

Marketing

Fabio Borini e shënoi golin e dytë në fitoren me rezultat 2:0 të Milanit kundër Feronikelit në ndeshjen miqësore të zhvilluar sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Kosova më ka pëlqyer shumë, është hera e parë që jam këtu. Na kanë pritur shumë mirë. Është shumë mirë ta dimë se ka njerëz që na duan kaq shumë edhe kaq larg shtëpisë tonë”, ka thënë Borini në një intervistë të dhënë për TV Dukagjini.

“Nuk mundem ta di edhe sa kohë i duhet Feronikelit për ta arritur nivelin e Milanit, mirëpo më ka pëlqyer loja e tyre, sidomos në mbrojtje ishin shumë të mirë”.

Goditjen e parë Feronikeli e mori në minutën e 25-të, kur anësori spanjoll Suso e dëshmoi talentin e tij, duke e shënuar një supergol nga gjuajtja e lirë, që e la portierin Florian Smakiqi të pashpresë.

Pikërisht Smakiqi ia dha lajmin më të keq Vukicevicit në këtë ndeshje, pasi që humbja në një ndeshje miqësore është më pak në dëm të Feronikelit sesa lëndimi i njërit ndër lojtarëve kryesore.

Smakiqi u lëndua menjëherë pasi Fabio Borini e dyfishoi epërsinë e Milanit, në minutën e 58-të të ndeshjes. Ky lëndim bëri që trajneri Vukicevic të detyrohet ta zëvendësojë atë.

Para fundit të ndeshjes, edhe Milani e edhe Feronikeli patën mundësi për të shënuar nga një gol, mirëpo fati nuk ishte në anën e tyre. Të dyja skuadra iu mohua nga një gol nga shtyllat e portës.

Tani, të dyja skuadrat i pret sezoni i ri në ligat vendore. Feronikeli do të përballet me Drenicën më 17 gusht, në kuadër të Ipko Superligës së Kosovës, ndërsa Milani do ta presë Brescian në “San Siro” më 31 gusht.

Marketing