Pesë persona janë arrestuar për vjedhjen e dhunshme të dy bulldogëve francezë që i përkasin artistes amerikane Lady Gaga.
Në 25 shkurt, sulmuesit qëlluan personin që kujdesej për ta, Ryan Fischer në gjoks dhe morën qentë e Lady Gaga, Koji dhe Gustav.
Z. Fischer iu desh të hiqte një pjesë të mushkërive, por i mbijetoi sulmit dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Të enjten, më 29 prill policia e Los Anxhelosit njoftoi se kishte akuzuar tre të dyshuar për vetë incidentin si dhe dy të tjerë si bashkëpunëtorë.
James Jackson, Jaylin White dhe Lafayette Whaley – përkatësisht të moshës 18, 19 dhe 27 vjeç – janë akuzuar për vrasje në tentativë dhe grabitje.
Oficerët akuzuan gjithashtu 40-vjeçarin Harold White – babai i Jaylin White – dhe Jennifer McBride, 50 vjeç, për bashkëpunëtorë të vrasjes në tentativë.
Zonja McBride i ktheu qentë në polici dy ditë pas vjedhjes, pasi Lady Gaga kishte ofruar një shpërblim prej 500,000 dollarë (359,000 £) për kthimin e tyre.
“Detektivët zbuluan se McBride kishte një marrëdhënie me Harold White,” thueht në njoftimin për shtyp të policisë në Los Anxhelos.
“Të katër burrat e akuzuar ishin “anëtarë të dokumentuar të bandës”, thuhet në deklaratë.
Policia tha se të akuzuarit në momentin e sulmit, nuk e dinin që Z. Fischer punonte për Lady Gaga – emri i saj i vërtetë është Stefani Germanotta.
Por provat sugjeruan që ata e dinin “vlerën e madhe të racës së qenve”, e cila ishte “motivi për grabitjen”.
Z. Fischer ishte duke ecur me tre qentë në një zonë rezidenciale të Hollyëood gjatë natës kur sulmuesit dolën nga një makinë.
Ai u qëllua në gjoks me një pistoletë gjysmë automatike dhe dy prej qenve u morën. Një tjetër prej bulldogëve të Lady Gaga, Azia, ishte i padëmtuar në incident.
Z. Fischer më vonë e përshkroi Azinë si “engjëllin e tij mbrojtës” që i dha vendosmërinë për të mbijetuar.