Grubi: Askush nuk mund të ndalë projektet e autostradave dhe eurointegrimin e vendit, i erdhi fundi pengmarrjes dhe bllokadës

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi
në fjalimin e tij në ceremoninë zyrtare të vendosjes së gurëthemelit të
Korridorit 10D potencoi se askush nuk mund të ndalë realizimin e
projekteve më të mëdha infrastrukturore në historinë e vendit dhe rrugën
e eurointegrimit.

Marketing

Duke përgëzuar të gjithë të pranishmit për momentin e fillimit të
realizimit të projektit të Korridorit 10D, Grubi theksoi se të gjitha
veprimet e Qeverisë demonstrojnë se i ka ardhur fundi pengmarrjes dhe
bllokadës së Kuvendit, të projekteve, të së ardhmes së qytetarëve të
Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe bllokadës së rrugës së
eurointegrimit të vendit.

Fjalimi i plotë i Zëvendës kryetarit të parë të Qeverisë, Artan Grubi:

Kjo prezencë sot dhe fakti se shumica absolute e deputetëve, të gjithë
ministrat qëndrojnë pas projektit është garanca më e madhe për të gjithë
qytetarët, edhe të Prilepit, edhe të Manastirit, edhe të Shkupit,
Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe Ohrit, se as Mickoski dhe as
Shën Micko nuk mund ta ndalin këtë projekt. Ky projekt vazhdon, ndërsa
Qeveria e ardhshme që gjithsesi se do të jetë e njejta që është sot, do
ta përfundojë këtë projekt, do t’i presë shiritat dhe të gjithë
qytetarët do të vozisin përgjatë këtyre autostradave.

Porosia e dytë sot që dua ta dërgoj është se ajo që e shihni sot në
Kuvend dhe atë që para një jave e bëri Qeveria në seancë qeveritare
është porosi se i ka ardhur fundi pengmarrjes së Kuvendit, të
projekteve, të së ardhmes së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së
Veriut. Kjo shumicë parlamentare, ky koalicion qeverisës, nga e premtja
e kaluar deri më sot demonstron se çka do të thotë t’i jepet fund
bllokadës absolute dhe pengmarrjes së të ardhmes së qytetarëve. Ajo nuk
do të tolerohet dhe po demonstrohet se i ka ardhur fundi.

Porosia e tretë për sot, ashtu siç demonstruam se i ka ardhur fundi
pengmarrjes dhe bllokadës, ashtu prej sot gjatë ndërtimit të projekteve
të këtilla infrastrukturore më të mëdha në historinë e vendit tonë,
përcjell porosi se ka ardhur koha nga sot t’i japim fund edhe bllokadës
së integrimit tonë europian. Ky veçse është projekt i filluar bashkë me
Kryeministrin Kovaçevski, me partnerët e koalicionit dhe nuk mund t’i
dalë askush përballë ashtu siç nuk mund t’i dalë përballë as këtij
projekti të ndërtimit të rrugëve. Kështu që përgatituni, hipni të gjithë
në këtë tren, i cili po vozit drejt Brukselit dhe të cilin nuk ka kush
që ta ndalë.

Marketing