Grubi: Hapim mundësi të reja pune me investime inovative

Sot, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për
Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi i
shoqëruar nga kryeministri Zaev, kryetari i BDI-së z. Ahmeti, kolegët
Bytyqi e Bekteshi, kryetari i Sarajit z. Bexheti, ai i Çairit z. Ganiu,
ishin për vizitë tek Fabrika e re për prodhimin e kabllove të kompanisë
“One Cable” në Zonën industriale të Sarajit.

Marketing

“Ju falenderoj shumë për mundesinë t’ju drejtohem në këtë ditë të
veçantë për Ju, kur po promovojmë investimin e ri në vlerë prej 3
milionë euro të kompanisë “One Cable”. Është vërtetë kënaqësi e veçantë
që sot jemi dëshmitarë të një suksesi tuajin me të cilin koktribuoni në
ekonominë e vendit dhe qytetit tonë. Por, do me lejoni të shpreh edhe
kënaqësisë që Ju si investitor privat po ftoni drejtuesit e qeverisës
dhe të komunave që bashkarisht të shënojmë nismën e punës në këtë
objekt. Kjo për mua është shenjë vlerësimi afirmativ nga bota afariste
për kushtet të cilat i ofron Qeveria për biznesin, për hapjen e vendeve
të reja të punës, për zhvillimin e ndërmarrjeve. Nuk ka Odë ekonomike,
nuk ka biznes serioz, vendor e të huaj, që nuk ka gjetur dorën e shtruar
të partneritetit tek Qeveria dhe komunat tona. Dhe prandaj jemi këtu.
Prandaj jemi të ftuar për ta ndarë gëzimin e suksesit me Ju. Sepse çdo
sukses i Juaji është edhe i joni. Sepse ju keni hasur në partner serioz
tek Qeveria dhe komuna. Po të ishte ndryshe, ne nuk do ishim sot këtu me
Ju”, ka thënë Grubi.

Bëhet fjalë për investim privat prej 3 milionë euro me makineri së
sofistikuar dhe bashkëkohore të prodhimit, me ç’rast Grubi ka përgëzuar
investitorët për frymën inovative dhe moderne me të cilën po bëhen pjesë
e tregut vendor dhe atij ndërkombëtar.

“Prandaj jam shumë krenar për klimën e mirëbesimit dhe të bashkëpunimit
që e kemi ndërtuar si qeveri me afaristët sepse interesin e kemi të
përbashkët, një shtet të zhvilluar dhe të barabartë për të gjithë ku do
të bëjmë jetë edhe me të mirë të gjithë bashkë. I dashur Fatmir dhe
Jusuf, Ju po na shihni bashkë këtu sot, Zoran Zaevin dhe Ali Ahmetin,
Petre Shilegovin dhe Blerim Bexhetin. Kështu ishim edhe ne ngjarje të
tjera sepse ne po ndërtojmë një rrëfim për një Shkup të barabartë, pa
dallime nga anët e Vardarit, një Shkup e një Maqedoni te Veriut ku
jetohet bashkë e jo të ndarë. Dhe ky bashkëpunim i joni në Qeveri dhe në
komuna ju sjell Juve si afarist parashikueshmëri dhe siguri për ta
realizuar dhe zhvilluar biznesin Tuaj, pa droje e pa dyshime.
Bashkëpunimi jonë konstruktiv i rehaton edhe qytetarët sepse ata nuk
duan ndasi, nuk duan një Shkup për ata dhe një Shkup për ne, nuk duan
monumente, por duan fabrika, nuk duan përplasje por duan paqe, nuk duan
një Qeveri e një komunë për njërin nënë e për tjetrin njerkë. Ju
përgëzoj për guximin që të investoni në kohë Pandemie dhe me këtë po
inkurajoni edhe investitor të tjerë duke stimuluar afaristë vendas dhe
të huaj për ta bërë te njëjtën. Sukseset të ju ndjekin përgjithmonë”, ka
theksuar më tej Zëvendëskryeministri i parë, Grubi.