Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi informoi opinionin se sot në Athinë u nënshkrua marrëveshja për interkonektorin e rrjetit të gazit natyror mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Bëhet fjalë për tubacion të gjatë 54 kilometra me pikë fillimi në lokacionin Nea Mesimvrija me çka do të mundësohet furnizimi me gaz i vendit tonë duke e shfrytëzuar infrastrukturën e rrjetit të gazit dhe gazin e rrjedhshëm natyror të DESFA.
Grubi gjithashtu ka njoftuar se procesi ndërtimor pritet të nis në fillimin e vitit 2022, pas miratimit të vendimit final gjatë këtij viti. Për këtë projekt është nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi mes DESFA dhe Resurseve Nacionale Energjetike të Maqedonisë së Veriut në tetor të vitit 2016.
Sipas zëvendëskryeministrit të parë përmes realizimit të këtij projekti do të zëvendësohen lëndët djegëse fosile, do të reduktohen shpenzimet dhe do të rritet kujdesi për ambientin jetësor dhe cilësinë e ajrit.